SHBA-ja sanksionon shtatë rusë, thotë se tentuan ta destabilizojnë edhe Ballkanin

Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit, në Uashington të SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë sanksionuar shtatë anëtarë të një grupi rus, të lidhur me shërbimet e inteligjencës, për tentimet e tyre për ta destabilizuar Ballkanin, Moldavinë, Ukrainën, BE-në, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas deklaratës së lëshuar nga Departamenti amerikan i Thesarit më 5 qershor, ata luajtën rol të rëndësishëm në fushatën ruse për ta destabilizuar Moldavinë dhe për ta nxitur një kryengritje atje.

"Ata analizojnë vendet e cenueshme ndaj ndikimit dhe ushqejnë frikën që minon besimin në parimet demokratike në vendet e synuara," thuhet në deklaratë.

Shtatë të sanksionuarit akuzohen për provokim, trajnim dhe mbikëqyrje të protestuesve në Moldavi me qëllim për ta rrëzuar presidenten Maia Sandu dhe qeverinë e re me prirje perëndimore, në fillim të këtij viti.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se Konstantin Sapozhnikov, njëri nga individët e sanksionuar, e drejtoi grupin dhe gjithashtu organizoi komplotin për ta destabilizuar qeverinë moldave. Personat e tjerë të sanksionuar janë Yury Makolov, Gleb Khloponin, Svetlana Bojko, Aleksei Losev, Vasily Gromovikov dhe Anna Travnikova.

SHIKONI EDHE: SHBA: Rusia po synon ta destabilizojë Moldavinë

Në shkurt dhe mars, disa mijëra njerëz dolën në rrugë në kryeqytetin moldav, Kishinau, kundër presidentes Sandu dhe qeverisë pro-perëndimore të Moldavisë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Sandu dhe i kërkuan qeverisë t’i paguajë faturat e qytetarëve pas rritjes së çmimeve të energjisë të shkaktuar nga vendimi i Rusisë për t’i ulur eksportet e gazit natyror në Evropë.

“Tentativat e Rusisë shfrytëzojnë shqetësimet e qytetarëve të këtyre vendeve, për t’i destabilizuar qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime për interesat e vetë Moskës. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara, së bashku me BE-në, të synojnë individë që përfshihen në aktivitete të tilla kundër qeverisë së Moldavisë“, tha në deklaratë nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson.

Shumë persona në mesin e turmës u identifikuan si të lidhur me Partinë Shor, të afërt me Rusinë. Ilan Shor, manjati që themeloi Partinë Shor, u largua nga Moldavia pas zgjedhjes së Sandu më 2019.

SHIKONI EDHE: Në Moldavi, mijëra qytetarë në tubim pro-evropian

Sandu dhe qeveria duan që Moldavia, një ish-shtet i varfër sovjetik, të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe t'i shpëtojë ndikimit të Moskës. Kremlini kundërshton animin e Moldavisë drejt Perëndimit dhe ka përdorur burimet e saj energjetike si një mjet për ta ndëshkuar atë.

Megjithatë, Rusia ka mohuar çdo përfshirje në ndonjë komplot të fshehtë për ta destabilizuar Moldavinë.