SHBA-ja sanksionon ish-kreun e Kaçanikut, Xhabir Zharku

Ndërtesa e Departamentit amerikan të Shtetit në Uashington. Fotografi nga arkivi.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ka futur në listën e zezë ish-kreun e komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për shkak të, siç u tha, përfshirjes së tij në akte korruptive.

“Gjatë detyrës së tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Zharku u përfshi në akte korruptive, duke përdorur pozitën e tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit, që në mënyrë të paligjshme të jepte leje për ndërtime në pronat komunale, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha DASH-i.

Në vitin 2023, Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt për të liruar nga akuzat Zharkun për akuzat e shpërdorimit të pozitës dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Gjykata e Ferizajt kishte refuzuar aktakuzën për korrupsion për shkak se lënda paraprakisht ishte parashkruar.

Sipas aktakuzës, ai dyshohej se në kohën kur ishte qenë kryetar i Kaçanikut, më 2008 kishte shpërdorur pozitën zyrtare, pasi në mënyrë të paligjshme kishte lejuar ndërtimin e një objekti për banim kolektiv në një pronë të komunës. Leja, sipas aktakuzës, ishte dhënë duke shkelur procedurat e caktuara me Ligjin për procedurën e dhënies së koncesioneve.

Zharku edhe më herët kishte pasur probleme me drejtësinë në Kosovë, më 2011, ai ishte dënuar me tre vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje. Pas konfirmimit të vendimit ai ishte larguar nga Kosova dhe për gati pesë vjet e gjysmë kishte qëndruar në arrati në Suedi.

Më 7 qershor të vitit 2018, Zharku u kthye në Kosovë pasi paraprakisht Gjykata Themelore e Ferizajt, dega në Kaçanik, mori vendim për ndalimin e ekzekutimit të dënimit me burg, pasi lënda ndaj tij ishte parashkruar.

SHIKONI EDHE: Kosova dhe Serbia si ‘vende të sigurta’ për njerëzit që ndiqen penalisht 

Në listën e sanksioneve janë shtuar edhe disa zyrtarë të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Aty është futur kryetari aktual i Karposhit të Maqedonisë së Veriut, Stevco Jakimovski, dhe ish-prokuroria speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva.

Sa i përket Katica Janevas, DASH tha se në kohën kur ajo ishte kryeprokurore e posaçme ajo ishte përfshirë “në akte korruptive, përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe fuqinë zyrtare për përfitime personale”.

“Ka informacione të besueshme që Janeva ka pranuar ryshfet për të ushtruar ndikim ndaj një prokurori”.

Ndërkaq, DASH tha se kryetari i Karposhit, Jakimovski është përfshirë “në akte korruptive, përfshirë përdorimin e postit të tij zyrtar për të ndikuar në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit në mënyrë që të përfitojë vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ky vendim riafirmon përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të përforcuar institucionet demokratike në mbarë Ballkanin.

“DASH-i do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet që ka për të promovuar llogaridhënie për aktorët e korruptuar në rajon dhe botë”, u tha në njoftim.