SHBA-ja sanksionon katër rusë lidhur me helmimin e Navalnyt

Opozitari rus, Aleksei Navalny, gjatë paraqitjes para një gjykate ruse. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj katër rusëve, që akuzohen se kanë qenë të përfshirë në helmimin e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Navalny, i cili aktualisht gjendet në një burg në Rusi, ishte helmuar më 2020.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se katër individët e sanksionuar besohet se janë të lidhur me Shërbimin Federal rus të Sigurisë (FSB).

“Sot ne ia kujtojmë [presidentit rus] Vladimir Putin dhe regjimit të tij se ka pasoja jo vetëm për nisjen e luftës brutale dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, por po ashtu për shkeljen e të drejtave të njeriut të popullit rus”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson përmes një deklarate.

“Tentim-vrasja ndaj Aleksei Navalnyt më 2020 paraqet përbuzjen që Kremlini ia bën të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë të përdorim autoritetin që kemi në dispozicion për të mbajtur përgjegjës xhelatët e mundshëm të Kremlinit”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE:

Aleksei Navalny - Një jetë në politikë, protesta dhe në burgje Avokatët rusë i bëjnë thirrje Putinit të ndalë “torturën” ndaj Navalnyt

Navalny, i cili që nga viti 2010 ka organizuar protesta masive në Rusi, u arrestua në janar të vitit 2021, pasi u kthye nga Gjermania. Ai ishte trajtuar në Gjermani, lidhur me atë që mjekët perëndimorë thanë se ishte helmim me një agjent nervor të epokës sovjetike.

Navalny ka akuzuar Kremlinin se qëndron pas helmimit, por Kremlini ka mohuar këto pretendime.