Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe tre këmbimoreve valutore, për të cilat thotë se janë përgjegjëse për lehtësimin e rrjedhjes së ndihmës financiare iraniane për rebelët Huthi në Jemen.
Individi që u sanksionua është kreu i Shoqatës së Shkëmbyesve të Valutave në Sana. Tre institucionet për këmbimin e monedhave janë në Jemen dhe Turqi.
Nënsekretari i Thesarit të SHBA-së, Brian Nelson, tha në një deklaratë më 28 dhjetor se veprimi "thekson vendosmërinë tonë për të kufizuar fluksin e paligjshëm të fondeve për Huthit, të cilët vazhdojnë të kryejnë sulme të rrezikshme ndaj transportit ndërkombëtar dhe rrezikojnë të destabilizojnë më tej rajonin".
Sanksionet ngrijnë çdo pasuri të SHBA-së që i përket subjekteve të shënjestruara dhe në përgjithësi ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me ta.
Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.
SHIKONI EDHE: Kush janë rebelët Huthi dhe pse po i sulmojnë anijet në Detin e Kuq?Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi më 19 dhjetor për krijimin e një operacioni shumëkombësh për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq në përgjigje të sulmeve të rebelëve Huthi.
Roli i rebelëve Huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, përderisa raketat dhe dronët e rebelëve Huthi fluturojnë drejt Izraelit.
Shtetet e Bashkuara besojnë se Garda Revolucionare Islamike e Iranit po ndihmon në planifikimin dhe kryerjen e sulmeve me raketa dhe atyre me dronë nga rebelët Huthi.
“Mbështetja e Iranit për sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve komerciale duhet të ndalojë”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më 18 dhjetor.
Irani mohoi përfshirjen.