Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) publikoi të hënën një listë të të sanksionuarve për vepra korrupsioni, në të cilën përfshihen shtatë persona nga Ballkani Perëndimor.
Nga Shqipëria, në listën e Departamentit të Thesarit janë: Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi.
“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit.
Për Ylli Ndroqin thuhet se “është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2021, për veprimtari të mëparshme kriminale”.
Në listën e Departamentit të Thesarit është edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, dhe ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit në këtë vend, Sasho Mijalkov.
SHIKONI EDHE: Zaev largohet - për disa si hero e për disa si tradhtarNga Bosnje e Hercegovina janë: ish-nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Asim Sarajliq, dhe ish-kryeprokurorja Gordana Tadiq.
Tadiq ka thënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se nuk është e informuar për sanksionet dhe se është e befasuar dhe e zhgënjyer.
“Çfarë korrupsioni? Nuk e di prej nga vijnë supozimet”, ka thënë ajo.
“Unë punoj me nder”, ka shtuar mes tjerash ajo.
Svetozar Maroviq, ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, është po ashtu në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Më 2016, Maroviq ka nënshkruar dy marrëveshje për pranim të fajësisë, duke pranuar të gjitha akuzat kundër tij, mirëpo më pas ka ikur në Serbi, para se të vuante dënimin me burgim dhe kthimit të më shumë se 1 milion dollarëve në shtet.
Pas bërjes publike të sanksioneve, Ambasada amerikane në Podgoricë i ka bërë thirrje Maroviqit që të kthehet në Mal të Zi dhe të përballet me drejtësinë.
“Ne shpresojmë se veprimet e sotme do të nxisin autoritetet malazeze që të luftojnë korrupsionin. Ne e dimë se e publiku e kërkon këtë”, ka thënë ambasadorja amerikane, Judy Rising Reinke përmes një postimi në Twitter.
Gruevski, Mijalkov dhe Tadiq janë edhe në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Atyre dhe anëtarëve të familjeve të tyre u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Firma hungareze e Gruevskit, I.C.I.C. KFT, është sanksionuar po ashtu.
SHIKONI EDHE: BE-ja s’i përjashton sanksionet ndaj politikanëve të BallkanitNë vendimin e Departamentit të Thesarit thuhet se “të gjitha pronat dhe të drejtat pronësore të individëve dhe subjekteve të listuara, që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose i zotëron ose kontrollon një shtetas amerikan, janë të bllokuara dhe duhet të raportohen në Thesar ose OFAC”.
“Njerëzit e sanksionuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin institucional dhe aspiratat e atyre që duan qeverisje demokratike dhe të matur në Ballkanin Perëndimor”, tha Brian E. Nelson, nënsekretar i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.
“Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është një prioritet kryesor i administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të hezitojë t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar dhe destabilizues”, shtoi ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere, sikurse Mbretëria e Bashkuar, janë duke mbajtur përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Sanksionet e SHBA-së ndaj serbëve të Kosovës në të kaluarën
Më 8 dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.
Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq është identifikuar si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Radoiçiq, Vesellinoviq dhe serbë të lidhur me ta sanksionohen nga SHBA-jaPërveç tyre, në rajonin e Ballkanit, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar më 5 janar të këtij viti edhe anëtarin serb të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Më 11 prill, Dodikun e ka sanksionuar edhe Mbretëria e Bashkuar.
SHIKONI EDHE: Britania sanksionon dy politikanë serbë të BosnjësSipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.
Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.