Një marrëveshje e rëndësishme bërthamore, që eliminoi një klasë të tërë raketash, mori fund të premten, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u tërhoqën zyrtarisht nga traktati 31-vjeçar.
Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi është nënshkruar në vitin 1988 nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi i Bashkimit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev. Traktati i ka ndaluar të dyja palët të zhvillojnë dhe prodhojnë raketa me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.
"Shtetet e Bashkuara nuk do të mbeten palë e një traktati që është shkelur qëllimisht nga Rusia", tha të premten sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
“Mosrespektimi i Traktatit nga ana e Rusisë i rrezikon interesat më të larta të SHBA-së, pasi zhvillmi i një sistemi raketor rus, që shkel Traktatin, paraqet kërcënim direkt për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi Pompeo.
SHIKONI EDHE: Çfarë parasheh Traktati për Armët Bërthamore?Edhe Shtetet e Bashkuara, edhe NATO-ja e kanë akuzuar Rusinë për shkelje të paktit me zhvillimin e sistemit 9M729, të njohur edhe si SSC-8.
“Sot, Traktati i Forcave Bërthamore pushon së ekzistuari sepse Rusia ka zhvilluar sistemin raketor SSC-8. Raketat e reja ruse kanë kapacitet bërthamor, mobil dhe është e vështirë të zbulohen. Ato mund të arrijnë qytete evropiane me vetëm pak minuta paralajmërim”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media në Bruksel.
Rusia, e cila e ka mohuar shkeljen e Traktatit, e fajësoi SHBA-në për prishjen e tij.
“Më 2 gusht, 2019, me nismën e palës amerikane, Traktati midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara për eliminimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër, ka marrë fund”, tha përmes një deklarate Ministria e Jashtme ruse.
Kritikët kanë paralajmëruar se tërheqja nga Traktati mund të çojë në garë të re armësh ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë - shtetit pasardhës të Bashkimit Sovjetik.
Më herët, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje të dyja vendeve që të zgjasin Traktatin.
“Bota do të humbasë një frenë jetike në luftën bërthamore, nëse Traktati përfundon. Kjo me siguri se do të rrisë, jo zvogëlojë, kërcënimin që paraqesin raketat balistike”, tha Guterres.
Ky traktat dhe marrëveshja START-i i ri për reduktimin e raketave strategjike bërthamore, janë dy nga marrëveshjet bazë për kontrollin e armëve midis dy shteteve udhëheqëse në botë, njëherësh fuqi bërthamore.
START-i i ri do të përfundojë në fillim të vitit 2021, përveç nëse presidentët e SHBA-së dhe Rusisë vendosin ta zgjasin atë.
Ish-lideri sovjetik, Gorbachev, i tha agjencisë ruse të lajmeve Interfax se vendimi i Uashingtonit për t’u tërhequr nga Traktati “e bën politikën globale të paparashikueshme dhe zhvillimin e saj kaotik".
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që "të përqendrohen në ruajtjen e START-it të ri si shtyllën e fundit të sigurisë strategjike globale", por shtoi se "duke gjykuar nga deklaratat e zyrtarëve të administratës amerikane, e ardhmja e tij është e pasigurt".
Më 1 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA-ja do të tërhiqet zyrtarisht nga Traktati më 2 gusht.
Rusia ka njoftuar në mars se presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar po ashtu dekretin për braktisjen e Traktatit.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të gjejë mënyra se si t’i përgjigjet arsenalit në rritje të armëve bërthamore në Korenë e Veriut.
Disa fuqi botërore po ashtu po përpiqen të shpëtojnë një marrëveshje që kufizon programin bërthamor të Iranit, pas tërheqjes së SHBA-së, vitin e kaluar.