Kush janë amerikanët që janë ende të burgosur në Rusi?

Ish-marinsi amerikan, Paul Whelan.

Pas muajsh negociata të vështira me Kremlinin, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, më në fund arriti lirimin e yllit të basketbollit, Brittney Griner, nga një burg rus.

Administrata Biden tha më 8 dhjetor se është pajtuar me Moskën për këmbimin e tregtarit të dënuarve të armëve, Viktor Bout me Griner, e cila u arrestua, u gjykua dhe u dënua nga autoritetet ruse.

Dënimi i Griner, 32 vjeçe, kishte nxitur zemërim në Shtetet e Bashkuara. Ajo u dënua në gusht me nëntë vjet burgim, nga një gjykatë në Moskë, pasi u gjet fajtore për posedim të një sasie të vogël të vajit të kanabisit, që është i ndaluar në Rusi.

Ky rast është parë në Uashington nga prizmi i raporteve të përkeqësuara SHBA-Rusi, me zyrtarët që kanë thënë se Kremlini po e përdorte Grinerin si peng për të siguruar lirimin e rusëve të profilit të lartë, që në burgjet në SHBA duke shërbyer dënime të gjata.

SHIKONI EDHE: Rusia liron basketbollisten amerikane në këmbim të tregtarit të armëve

Shtetasi rus, Viktor Bout, u dënua më 2011 me 25 vjet burgim dhe ishte në vuajtje të dënimit në një burg në SHBA për komplot për shitje armësh te një grup terrorist kolumbian. Ai padyshim ishte i burgosuri rus i profilit më të lartë në SHBA. Kremlini për vite të tëra ka luftuar për lirimin e tij.

Gëzimi në SHBA lidhur me lirimin e Griner është zbehur për faktin se disa amerikanë, përfshirë ish-marinsin amerikan, Paul Whelan, po vazhdojnë të mbahen në burgjet ruse për ato që thonë se janë akuza të sajuara.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë diskutuar për një këmbim më të madh të burgosurve, përfshirë edhe Whelan.

“Përderisa ne festojmë lirimin e Brittneyit, Paul Whelan dhe familja e tij vazhdojë të vuajnë pa nevojë. Pavarësisht përpjekjeve tona të parreshtuara, Qeveria ruse ende nuk ka shprehur vullnet për t’i dhënë fund ndalimit të tij të gjatë dhe të padrejtë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një deklarate të publikuar më 8 dhjetor.

“Pavarësisht kësaj, ne nuk do t’i ndalim përpjekjet tona që të sjellim Paulin dhe shtetasit e tjerë amerikanë, që mbahen si pengje apo janë të ndaluar padrejtësisht, në shtëpi pranë më të dashurve të tyre, ku ata e kanë vendin”.

Më herët gjatë këtij viti, administrata Biden arriti të lironte Trevor Reed, ish-pjesëtar i marinës amerikane i cili ishte i burgosur në Rusi për pothuajse tre vjet nën akuza për sulm të dy zyrtarëve policorë.

Në këtë rast, administrata u pajtua që të këmbente Konstantin Yaroshenko, një pilot nga Rusia që u dënua më 2011 me 20 vjet burgim për komplot të kontrabandës së kokainës për në SHBA.

Më poshtë mund të mësoni për shtetasit e tjerë amerikanë dhe rusë, të cilët mund të përfshihen në këmbimet potenciale të të burgosurve.

Paul Whelan

Ish-marinsi amerikan, Paul Whelan.

Paul Whelan, 52 vjeç, ekzekutiv i sigurisë me bazë në Miçigan, u arrestua në dhjetor të vitit 2018 nën akuza për spiunazh. Ai u arrestua teksa po vizitonte Moskën për të marrë pjesë në dasmën e një miku. Rusia pretendon se Whelan u kap me një disk kompjuterik që kishte informacione të klasifikuara.

SHIKONI EDHE: Blinken ofertë Moskës për lirimin e dy amerikanëve

Whelan, që ka shtetësi amerikane, britanike, kanadeze dhe irlandeze, tha se ai u vu në kurth dhe kishte menduar se në pajisjen kompjuterike, që ia kishte dhënë një i njohur i tij rus, kishte fotografi pushimesh.

Në qershor të vitit 2020 ai u shpall fajtor dhe u dënua me 16 vjet burgim. Aktualisht, ai gjendet në një burg të sigurisë së lartë. Qeveria amerikane tha se Rusia, gjatë gjykimit të Whelan, që e ka quajtur tallje me drejtësinë, nuk kishte ofruar prova për fajësinë e shtetasit amerikan.

David Barnes

David Barnes, 65 vjeç, banor i Teksasit, u arrestua nga autoritetet ruse në Moskë në janar të vitit 2022. Ai akuzohet se ka abuzuar fëmijët e tij në Shtetet e Bashkuara.
Barners udhëtoi për në Moskë dhjetorin e vitit 2021 për të fituar të drejtën që të shohë fëmijët e tij apo që t’i kthejë ata në shtëpi.

Ish-bashkëshortja e tij, Svetlana Koptyaeva, u largua për në Rusi së bashku me fëmijët më 2019, pas divorcit dhe procesit gjyqësor për kujdestarinë e fëmijëve. Një gjykatë në Teksas, më 2019 i dha Barnersit kujdestarinë e fëmijëve dhe Koptyaeva tani kërkohet nga SHBA-ja nën akuzat për ndërhyrje në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve.

SHIKONI EDHE: Rusia është gati për shkëmbimin e të burgosurve me SHBA-në

Koptyaeva e ka akuzuar Barnesin për abuzim të fëmijëve, por një hetim i kryer më 2018 nga Departamenti për Familje dhe Shërbime Mbrojtëse, nuk gjeti prova të mjaftueshme për të mbështetur këtë pretendim. Ky departament mbyllin rastin, duke mos ngritur asnjë akuzë.

Marc Fogel

Mark Fogel, 60 vjeç, mësues i anglishtes, u arrestua në një aeroport të Moskës më 2021 për posedim të një sasie të vogël të marihuanës.

Ai u dënua me 14 vjet burgim, pasi prokurorët pretenduan se ai synonte t’ua shiste drogën studentëve të tij.

Fogel kishte dhënë mësim në një shkollë anglo-amerikane në Moskë për pothuajse një dekadë. Shkolla ku jepte ai mësim, është një shkollë fillore prestigjioze, që është themeluar nga ambasadat amerikane, kanadeze dhe britanike.

Fogel, që u është nënshtruar operacioneve në shpinë, shpatull dhe gjunjë, kishte filluar trajtimin mjekësor me marihuanë në kohën kur ishte në SHBA për pushimet e verës, në mënyrë që të mund të trajtonte dhimbjen. Ai kishte marrë me vete në Rusi një sasi të vogël të kësaj lënde narkotike, që në këtë shtet është e ndaluar.

Roman Seleznyov

Roman Seleznyov.

Roman Seleznyov, djali i Valery Seleznyov – anëtar i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus dhe kritik i zëshëm i politikave amerikane – po shërben 27 vjet burgim për disa krime kibernetike, përfshirë shitjen e të dhënave të kartelave bankare amerikane.

Seleznyov, 38 vjeç, u arrestua nga autoritetet amerikane më 2014 në një aeroport në Maldive dhe shpejt u dërgua në territorin amerikan të Guamit. Arrestimi i tij nxiti akuza nga Moska, që tha se ai u rrëmbye.

SHIKONI EDHE:

Ligjvënësi rus thotë se djali i tij është i pafajshëm Moskë: Arrestimi i shtetasit rus në SHBA “hap jomiqësor”

Hetuesit amerikanë zbuluan aktivitetet online të Seleznyovit në fund të viteve 2000 dhe kërkuan ndihmë nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB). Por, gjurmët në internet të Seleznyovit u zhdukën pak kohë pas kësaj, duke bërë që hetuesit amerikanë të besojnë se Rusia po e mbronte atë.

Seleznyov (që në dokumentet në gjykatat amerikane figuron me emrin Roman V. Seleznev) është dënuar me një prej dënimeve më të mëdha që janë shqiptuar ndonjëherë ndaj hakerëve rusë, sepse ai zgjodhi që të luftonte për çështjen e tij, pavarësisht provave të shumta që kishte kundër tij.

Vladislav Klyushin

Vladislav Klyushin, 41 vjeç, u arrestua në Zvicër më 21 mars të vitit 2021, nën akuza për vjedhje të informacioneve të brendshme dhe përdorimit të tyre për t’u pasuruar. Ai u ekstradua në SHBA më 18 dhjetor të atij viti.

Klyushin akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi që ka hyrë në rrjete për të vjedhur informacione të ndjeshme të korporatave dhe për përdorimin e këtyre informacioneve për tregtimin e aksioneve. Grupi besohet se ka fituar 82 milionë dollarë gjatë viteve 2018-2020.

Anëtarët e tjerë të grupit janë në arrati. Një prej tyre është ish-oficeri i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës ruse, që njihet me shkurtesë GRU. Ndaj tij, në SHBA ishte ngritur akuzë më 2018 për rolin e pretenduar në përpjekjet ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Klyushin kishte në pronësi M-13, një kompani ruse që u ofronte mediave dhe kompanive të tjera shërbime të sigurisë kibernetike. Ai besohet se ka lidhje me Kremlinin. Kompania e tij ka ofruar shërbime edhe për ministritë ruse, por edhe për trupat ekzekutivë rajonalë.

Aleksandr Vinnik

Aleksandr Vinnik

Aleksandr Vinnik, 43 vjeç, i njohur edhe si Z.Bitcoin, u ekstradua në SHBA më 5 gusht. Ai përballet me akuza të pastrimit të parave.

Vinnik dyshohet se ka pasur në pronësi BTC-e, një prej kompanive më të mëdha të këmbimit të monedhave digjitale. SHBA-ja pretendon se BTC-e është përdorur në masë të madhe nga kriminelët kibernetikë në mbarë botën për të pastruar paratë, sepse kjo kompani nuk ka kërkuar që përdoruesit të verifikojnë identitetin e tyre dhe transaksionet dhe burimet e të ardhurave kanë qenë anonime.

Vinnik u arrestua më 2017 në një plazh grek, në bazë të një urdhër-arresti të SHBA-së. Megjithatë, ai fillimisht u ekstradua në Francë për t’u përballur me akuza për pastrim parash, ku u dënua me pesë vjet burgim.

Më 4 gusht, ai u lirua nga burgu në Francë dhe menjëherë u dërgua në Greqi, shtet që kishte kërkuar kthimin e tij në mënyrë që të mund të zbatonte urdhër-arrestin fillestar të lëshuar nga SHBA-ja.

Nëse gjendet fajtor nga gjykatat në SHBA, Vinnik mund të dënohet deri me 20 vjet burgim. Koha e ekstradimit të Viinikut në SHBA përkoi me dënimin e Grinerit, duke nxitur spekulime se ai mund të përdoret në një këmbim të mundshëm të të burgosurve.

Denis Dubnikov

Denis Dubnikov, 29 vjeç, u ekstradua në SHBA më herët gjatë këtij viti. Ai akuzohet për pastrim të kriptovalutave, të lidhura me një grup famëkeq kibernetik.

Dubnikov, që ka në pronësi një kompani të vogël të këmbimit të kriptovalutave, pretendohet se ka pranuar qindra mijëra dollarë monedha digjitale nga Ryuk, një bandë kibernetike, që besohet se ka kryer dhjetëra miliona sulme kibernetike, përfshirë edhe ndaj shtetasve amerikanë.

SHIKONI EDHE: Biden zotohet për veprime kundër sulmeve kibernetike nga Rusia

Dubnikov ka mohuar akuzat, dhe përmes avokatit, është shprehur se në atë kohë nuk e ka ditur se burimi i parave ishte marrë nga pagesat që ishin kërkuar nga banda për të ndaluar sulmet kibernetike ndaj viktimave.

SHBA-ja ka thënë se arrestimi i Dubnikovit është goditja e parë e madhe ndaj bandës Ryuk, që besohet e qëndron prapa sulmeve kibernetike ndaj organizatave të kujdesit shëndetësor në SHBA. The Wall Street Journal tha se Ryuk ka marrë mbi 100 milionë dollarë nga viktimat e tij vitin e kaluar.

Përgatiti: Mimoza Sadiku