Çka po ndodh me çmimet e benzinës në SHBA?

Një person duke mbushur veturën me benzinë. Fotografi nga arkivi.

Reuters

Shtetet e Bashkuara përdorin më shumë benzinë sesa çdo shtet tjetër në botë dhe së fundmi, shqetësimet e amerikanëve janë rritur për shkak të rritjes së çmimit të benzinës.

Shtëpia e Bardhë tha më 23 nëntor, se planifikon që, në koordinim me shtetet e tjera, të nxjerrë në treg miliona fuçi naftë nga rezervat strategjike, duke shpresuar se me këtë veprim do të ulen shpenzimet.

Çmimi mesatar me pakicë i benzinës së fundmi ka qenë 3.40 dollarë për gallon të rregullt, nga 2.11 dollarë sa ishte një vit më parë. Kjo rritje e çmimit – prej 61 për qind në 12 muaj – ka alarmuar konsumatorët.

Sipas Shoqatës Automobilistike të SHBA-së, pritet që 48.3 milionë qytetarë të udhëtojnë gjatë festave të fundvitit, apo katër milionë më shumë. Megjithatë, kjo shifër është më e ulët sesa ishte më 2019.

A kanë qenë ndonjëherë kaq të larta çmimet e benzinës?

Po. Çmimi i një galloni të benzinës kishte kushtuar 4.11 dollarë në korrik të vitit 2008. Edhe pse çmimi aktual është më i ulët sesa më 2008, megjithatë rritja e tij për një vit është diçka e rrallë.

Çka përfshihet në çmimet e benzinës?

Janë disa faktorë. Nafta e papërpunuar përbën mbi gjysmën e kostos, ka thënë Departamenti amerikan për Energji. Çmimet e benzinës gjerësisht përcaktohen nga furnizimet dhe kërkesat në mbarë botën.

Konsumatorët po ashtu paguajnë para shtesë për përzierjen e etanolit dhe përbërësve të tjerë, por edhe për shpërndarjen dhe marketingun. Këto kosto janë rritur ndjeshëm, ka thënë Tom Kloza, analist për energji në Shërbimin për Informacionet e Çmimit të Naftës (OPIS).

“Benzinën që ju e merrni në pompa të benzinës, realisht përmban tetë apo nëntë elemente, çmimet e së cilave janë rritur në muajt e fundit”, tha Kloza.

Një pompë benzine në Uashington të SHBA-së e rrethuar me shirita, për të treguar se ka mungesë të benzinës. 14 maj 2021.

Pothuajse 17 për qind e kostos vjen nga taksat. Taksa federale për benzinën është 18 centë, ndërkaq taksa mesatare e shteteve është 30 centë, por dallon nga shteti në shtet.

Si do të ndikojë në çmim nafta e papërpunuar që do të merret nga rezervat?

Nxjerrja në treg e naftës nga Rezervat strategjike të Naftës së SHBA-së do të ishte një kombinim i një huaje dhe benzina më pas do t’iu shitej kompanive, kanë thënë zyrtarët amerikanë. Nga rezervat është paraparë që të merren 50 milionë fuçi benzinë.

SHIKONI EDHE: Paralajmërohet rritje e prodhimit të naftës së papërpunuar

Çmimet e naftës për disa ditë kanë rënë teksa tregu i naftës po përgatitej që të merrte sasinë e kësaj lënde nga rezervat. Megjithatë, pasi që nxjerrja e naftës së papërpunuar nga rezervat mund të marrë kohë që të funksionojë në procesin e rafinimit, shoferët nuk pritet që të blejnë benzinë me çmime më të lira gjatë festave të fundvitit.

“Ka pak gjasa që ulja e çmimeve të ndodhë në një periudhë të shkurtër kohore, vetëm nëse administrata (e presidentit amerikan, Joe) Biden e bën prioritet nxjerrjen e benzinës nga stoqet”, tha Louise Dickson, analiste e tregjeve të naftës në Rystad Energy.

Çka mund të bëhet më shumë që të ulen çmimet e benzinës?

Për shkak të çmimeve të larta të benzinës në shtetin e tij, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis më 22 nëntor u kërkoi ligjvënësve që të heqin taksat për benzinën, taksa që përdoren për të financuar infrastrukturën e transportit publik. Taksat për benzinën në shtetin e Floridës janë pothuajse 35 centë, që janë mbi mesataren kombëtare.

“Edhe shtetet e tjera të udhëhequra nga republikanët mund ta ndjekin këtë shembull, veçanërisht nëse ato argumentojnë se financimi mund të bëhet përmes Projektligjit federal për infrastrukturën”, tha Kloza.

SHIKONI EDHE: Kongresi amerikan miraton projektligjin për infrastrukturë

Si do të jenë çmimet e benzinës në javët e ardhshme?

Në javët në vazhdim, çmimet e benzinës pritet të ulen, por kjo rënie, sipas Klozas, më shumë do të ndodhë për shkak të kërkesës më të ulët për karburante gjatë muajve të dimrit.

Kur kërkesa për benzinë do të rritet sërish, konsumatorët amerikanë ka gjasa të kthehen në pompat e benzinës, por kapaciteti i naftës së papërpunuar do të zvogëlohet pas një viti dhe rafineri të konsiderueshme të naftës do të mbyllen në gjithë botën.

Presidenti Joe Biden, kur ka komentuar nxjerrjen e naftës nga rezervat strategjike, ka thënë se çmimet do të duhej të ishin 25 centë më të lira sesa janë aktualisht. Por, hendeku ndërmjet të ardhmes së papërfunduar të benzinës dhe çmimeve të shitësve, aktualisht është 1.14 dollarë për gallon, ndryshe çmimi më i lartë që prej prillit të vitit 2020.

Përgatiti: Mimoza Sadiku