SHBA-ja rrit sërish normën e interesit

Shefi i Rezervave Federale në SHBA, Jerome Powell.

Banka Qendrore e Shteteve të Bashkuara e ka rritur sërish normën e interesit, pavarësisht shqetësimeve se një hap i tillë mund të përkeqësojë gjendjen aktuale financiare.

Vetëm këtë muaj është raportuar për falimentim të disa bankave në SHBA.

Rezervat Federale e kanë rritur normën e interesit për 0.25 për qind dhe kanë thënë se ky veprim mund të jetë “i duhuri” pas rritjes së çmimeve të konsumit.

Përmes një deklarate, Rezervat Federale kanë thënë se sistemi bankar amerikan është “i qëndrueshëm”.

Mirëpo rritja e shpejtë e normave të interesit e ka rënduar sistemin bankar.

SHIKONI EDHE: Borrell: Rritja e normës së interesit në SHBA rrit rrezikun për recesion

Dy banka amerikane - Silicon Valley dhe Signature – kanë falimentuar këtë muaj, kryesisht për shkak të problemeve të shkaktuara nga rritja e normave të interesit.

Mirëpo autoritetet në gjithë botën kanë thënë se nuk mendojnë që falimentimi i këtyre dy bankave kërcënon zgjerimin e krizës edhe në institucionet tjera bankare.

Javën e kaluar, edhe Banka Qendrore Evropiane e ka rritur normën e interesit për 0.5 për qind.

Banka e Anglisë pritet të marrë vendim për një rritje të tillë, të enjten.