SHBA prezanton rregulla të reja për migrim

Migrantët në kufirin ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës.

Qeveria amerikane është duke prezantuar një proces të përshpejtuar të dëbimit, që do të anashkalojë gjykatat për imigrim.

Sipas rregullave të reja, migrantët që nuk mund të vërtetojnë se kanë qenë vazhdimisht në SHBA për më shumë se dy vjet, do të dëbohen menjëherë.

Deri më tani, dëbime të tilla janë aplikuar vetëm për personat e ndaluar afër kufirit që kanë qëndruar në SHBA për më pak se dy javë.

Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se mijëra persona mund të preken nga kjo masë.

Unioni Amerikan për Liri Civile ka thënë se do ta sfidojë këtë politikë në gjykatë.

Masa e re pritet të zbatohet me efekt të menjëhershëm, pasi të bëhet publike ditën e martë.

Politika amerikane për migrim është kritikuar ashpër në muajt e fundit, kryesisht për shkak të kushteve në qendrat e ndalimit në kufirin jugor me Meksikën.

SHIKONI EDHE: Paralajmërohen dëbime masive të imigrantëve nga SHBA-ja

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit për Siguri Kombëtare, Kevin McAleenan ka thënë se kjo masë do të ndihmojë për shkak të kapaciteteve të kufizuara në kufi.

Sipas tij një masë e tillë është “e domosdoshme pas krizës së vazhdueshme të imigrimit”.

Kush preket nga kjo masë?

Sipas Qendrës Kërkimore Pew, në SHBA jetojnë rreth 10.5 milionë imigrantë pa dokumente.

Muzaffar Chishti, avokat nga Instituti për Politika të Migrimit, ka thënë se shumë migrantë do të kenë vështirësi për të vërtetuar se kanë qenë në SHBA për periudhën që u kërkohet.

“Kur të ndalesh në rrugë apo në ndonjë fabrikë, natyrisht se është shumë e vështirë që të ofrosh të dhëna që tregojnë se ju keni qenë aty më shumë se dy vjet, sepse askush nuk merr me vete të gjitha dokumentet”, ka thënë ai për CBS News.

Analistët kanë thënë se presidenti amerikan, Donald Trump është duke planifikuar që të kthejë politikën e tij për migrimin, në aspektin kyç të fushatës zgjedhore për president më 2020.

Përgatiti: Krenare Cubolli