Shtetet e Bashkuara kanë dënuar djegien apo shkatërrimin e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS - Republika e Kosovës.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka konsideruar aktet e tilla “frikacake dhe kriminale”.
Më 2 nëntor, Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të së mërkurës ka pranuar informacione për vënien e zjarrit dhe djegien e një veture me targa RKS në Zubin Potok, pronar i së cilës ka qenë një qytetar i komunitetit serb.
SHIKONI EDHE: Digjet vetura me targa RKS e një serbi në Zubin PotokKy njoftim vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - ka paralajmëruar rezistencë të ashpër qysh në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Dita e parë e qortimit: Dilema dhe kundërshtime për targat
Ambasadori Hovenier ka përsëritur sërish thirrjen e Shteteve të Bashkuara për “shtyrje të plotë të zbatimit të vendimit për targat”, duke përmendur po ashtu se Kosova ka të drejtë të zbatojë këtë vendim.
Javë më parë, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që afati për riregjistrimin e makinave në RKS të shtyhet për 10 muaj.
SHIKONI EDHE: SHBA kërkon shtyrje të plotë të afatit për targatÇështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.
Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.
Afati për riregjistrim fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, mirëpo më pas Qeveria e Kosovës e ka prezantuar planin me tri faza.
Më 1 nëntor, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se do të dëshironte të shihte që përfaqësuesit e serbëve në Kosovë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në ulje të tensioneve.
“Shembull, t’ua sqarojnë serbëve të Kosovës realitetin që, në Kosovë duhet të kenë targa të licencuara nga Kosova”, ka thënë Rohde përmes një postimi në Twitter.
Autoritetet në Serbi kërkojnë targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.