I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ai pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 2 maj, kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.
“Shpresoj që deri më 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.
Ai tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit Albin Kurti, për të pranuar këtë detyrim ligjor.
“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por, tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe, ne pajtohemi me këta parametra”, tha Escobar.
SHIKONI EDHE: Bislimi: Janë pesë kritere për statutin e AsociacionitKosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013 dhe më pas për parimet e tij më 2015.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që disa parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.
Megjithatë, Qeveria aktuale në Kosovë ka refuzuar formimin e asociacioneve njëetnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.
Pas presionit të komunitetit ndërkombëtar, Kosova është zotuar për të krijuar një “nivel të vetëmenaxhmit” për serbët.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha edhe se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.
“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë, personalisht, u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por, këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal, sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra, nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha Escobar.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet në veri: Ku dhe si do të votohet?Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.
Zgjedhjet do të mbahen pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Escobar tha se shpreson që serbët në Kosovë të gjejnë një mënyrë të rikthehen në institucione. Megjithatë, Escobar tha se bojkoti nuk duhet të vonojë themelimin e Asociacionit.
“Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet”, tha ai.