SHBA paralajmëron “përgjigje” ndaj testit bërthamor të Koresë së Veriut

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Foto nga arkivi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre do të përgjigjeshin me shpejtësi nëse Koreja e Veriut vazhdon me një provë bërthamore, por theksoi se dialogu mbetet ende opsion.

"Ne jemi në kontakt shumë të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, duke filluar me Republikën e Koresë - gjithashtu me Japoninë dhe të tjerët - për të qenë në gjendje të përgjigjemi shpejt nëse koreano-veriorët vazhdojnë me një provë të tillë", u tha Blinken gazetarëve.

SHIKONI EDHE: K.Jugore dhe SHBA lëshojnë raketa si paralajmërim për K.Veriore

"Ne jemi të përgatitur të bëjmë rregullime afatshkurtra dhe afatgjata në pozicionin tonë ushtarak, varësisht nga rasti," shtoi ai.

Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk kanë "asnjë qëllim armiqësor ndaj DPRK", emri zyrtar i Veriut, Republika Demokratike Popullore e Koresë.

"Kështu që ne do të vazhdojmë të kontaktojmë me DPRK-në. Ne jemi të përkushtuar në qasje diplomatike," tha Blinken.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja i bën thirrje Koresë së Veriut t’i kthehet dialogut

Diplomati i lartë amerikan u deklarua pas bisedimeve që pati në Uashington me homologun e tij nga Koreja e Jugut, e njohur zyrtarisht si Republika e Koresë, i cili njësoj si Blinken tha se qeveria e tij ishte gati të negocionte me Phenianin "pa parakushte".

"Unë mendoj se Koreja e Veriut ka përfunduar tani përgatitjet për një tjetër provë bërthamore dhe mendoj se duhet marrë vetëm një vendim politik," tha minisri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Park Jin.

"Nëse Koreja e Veriut ndërmerr një tjetër provë bërthamore, mendoj se kjo vetëm do të forcojë parandalimin tonë dhe gjithashtu sanksionet ndërkombëtare," tha ai.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja thotë se Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë një test bërthamorKoreja Veriore teston raketën e ndaluar interkontinentale

Shtetet e Bashkuara u përpoqën të ashpërsojnë sanksionet ndaj Koresë së Veriut pas testimeve të një rakete balistike në kundërshtim me rezolutat e OKB-së, por Kina dhe Rusia vendosën veto në Këshillin e Sigurimit.

Koreja e Veriut ka kryer të paktën 18 runde të testeve të armëve gjatë këtij viti, duke shfaqur zhvillimin e arsenalit të raketave bërthamore.

Në testimin e fundit, Koreja e Veriut lëshoi tetë raketa balistike me rreze të mesme veprimi, një ditë pasi Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan stërvitjet e përbashkëta ushtarake.