Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar të shtunën Iranin të mos i sulmojë trupat dhe bazat amerikane në Lindjen e Mesme, pasi Teherani po planifikon t’i përgjigjet një sulmit të dyshuar izraelit nga i cili u vranë shtatë ushtarakë iranianë më 1 prill.
Mohammad Jamshidi, zëvendësi i shefit të zyrës së presidentit iranian tha më 5 prill se Irani i kishte thënë Uashingtonit në një mesazh me shkrim “të qëndrojë larg” Izraelit, ose ndryshe rrezikon të “lëndohet”.
“Në përgjigjen e saj, SHBA-ja i kërkoi Iranit të mos i sulmojë objektet amerikane”, shkroi Jamshidi në rrjetin social X.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth komenteve të Jamshidit, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) i hodhi poshtë pretendimet e tij.
“Ne nuk i ‘kërkuam’. Ne iu përgjigjem duke e paralajmëruar Iranin të mos e përdorë këtë si pretekst për t’i sulmuar objektet dhe personelin amerikan”, tha zëdhënësi i DASH-it.
SHIKONI EDHE: Iranit i rritet presioni për ta goditur IzraelinNjë ndërtesë, për të cilën Irani tha se ishte pjesë e Ambasadës së vet në kryeqytetin sirian Damask, u shkatërrua nga një sulm i dyshuar izraelit më 1 prill.
Shtatë pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë dy gjeneralë, u vranë.
Izrael – sipas praktikës së vet të zakonshme – nuk e ka komentuar sulmin.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u zotua për hakmarrje pas sulmit, duke thënë se Izraeli do të “ndëshkohet nga duart e burrave tanë guximtarë”.
SHIKONI EDHE: Irani zotohet për hakmarrje, pas sulmit në Damask për të cilin e fajëson IzraelinCBS News raportoi më 5 prill se inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa lundruese. Nuk dihet caku e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte përgjigje proporcionale, thuhet në raport.
Së paku 12 pjesëtarë iranianë të IRGC-së, përfshirë gjeneralë të rëndësishëm, janë vrarë nga sulme të dyshuara izraelite prej fillimit të dhjetorit.
Irani është zotuar se do të hakmerret, por nuk e ka bërë deri më tani.
Analistët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Teherani mund të ketë ardhur në një pikë ku i duhet të veprojë, por përgjigja duhet të jetë e atillë që ta ulë mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë me Izraelin.