Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi për pakon e re të ndihmës ndaj Ukrainës në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh. Pakoja e re përfshin ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Kievin.
Biden tha se armët do të shkojnë “direkt në vijat e frontit të mbrojtjes së lirisë” për të mbështetur forcat e guximshme ukrainase dhe civilët që po luftojnë kundër pushtimit rus në këtë rajon.
“Ne jemi në një kohë kritike kur ata po bëhen gati për fazën e re të kësaj lufte”, tha Biden, teksa foli nga Shtëpia e Bardhë më 21 prill. SHBA-ja dhe aleatët “po lëvizin sa më shpejt që është e mundur” për t’i ofruar Ukrainës pajisjet dhe armët që i duhen.
Presidenti Biden tha se do të sigurohet se armatimet e reja të kësaj pakoje të re të ndihmës të dërgohen në Ukrainë në javët e ardhshme. Në pakon e re përfshihen armatime si artileri, obusë, 144,000 fishekë dhe dronë taktik.
SHBA-ja, sipas Biden, do të vazhdojë që të ndajë në kohë të shkurtër inteligjencën me forcat ukrainase dhe do të lehtësojë dërgimin e armëve edhe nga aleatët dhe partnerët e tjerë në mbarë botën.
Biden po ashtu njoftoi për 500 milionë dollarë, që do të jenë ndihmë e drejtpërdrejtë ekonomike që SHBA-ja i ofron Ukrainës për të stabilizuar ekonominë.
Presidenti amerikan po ashtu i ka kërkuar Kongresit që javën e ardhshme të miratojë miliarda dollarë të tjerë ndihmë për Ukrainën, pasi që ndihma prej 13.6 miliardë dollarësh që u miratua muajin e kaluar, pothuajse është harxhuar.
Ai u zotua se presidenti rus, Vladimir Putin, “kurrë nuk do të ketë sukses” që ta pushtojë Ukrainën dhe theksoi nevojën që të vazhdojë të ketë unitet në mes të aleatëve perëndimorë.
“Uniteti ynë në SHBA me aleatët dhe partnerët tanë, uniteti ynë me popullin ukrainas, po i dërgon një mesazh të qartë Putinit: ai kurrë nuk do të ketë sukses në pushtimin dhe dominimin e gjithë Ukrainës. kjo nuk do të ndodhë”, tha Biden.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja hedh poshtë pretendimet e Rusisë për MariupolinPresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka hedhur poshtë pretendimet e homologut të tij rus, Vladimir Putin se qyteti juglindor ukrainas i Mariupolit ka rënë nën kontrollin rus, duke thënë se nuk ka dëshmi për një pretendim të tillë. Ai i bëri thirrje Rusisë që të mundësojë hapjen e korridoreve humanitare, në mënyrë që civilët të mund të largohen.