Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar një paketë 5,583-faqëshe, duke kombinuar ndihmën ekonomike pas dëmeve të shkaktuara nga koronavirusi bashkë me projektligjin e rregullt për të financuar qeverinë dhe për ulje të taksave.
Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati kanë miratuar legjislacionin me shumicë dërrmuese më 21 dhjetor, duke e dërguar këtë dokument në tavolinën e presidentit amerikan, Donald Trump për nënshkrim.
Paketa e shpenzimeve kombinon 900 miliardë dollarë të ndihmës ekonomike për individë dhe bizneset e shkatërruara nga pandemia, bashkë me 1.4 trillion dollarë të projektligjit për të financuar qeverinë për vitin fiskal 2021.
Legjislacioni – me numrin më të madh të faqeve të shkruara ndonjëherë nga Kongresi– vjen pasi disa muajve të negociatave të dështuara në mes të demokratëve, republikanëve dhe Shtëpisë së Bardhë, që ka vënë në pah dallimet partiake dhe ka shkaktuar paralizim të Uashingtonit, teksa pandemia ka rezultuar me dëme të mëdha shëndetësore dhe ekonomike.
SHIKONI EDHE: A mund të rimëkëmbet ekonomia botërore më 2021?Pas disa muajve të diskutimeve politike për paketën e ndihmës ekonomike, liderët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ata të Senatit më në fund kanë arritur marrëveshje gjatë fundjavës për paketën që do t’iu shkojë në ndihmë amerikanëve.
Ky projektligj nuk ka përmbushur kërkesat e demokratëve për 3.4 trilionë dollarë ndihmë në muajin maj.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka arritur të shtyjë përpara demokratët që të gjejnë kompromis me republikanët, duke argumentuar se diçka është më mirë sesa asgjë, derisa të marrë pozitën e presidentit më 20 janar.
“Është marrëveshje e mirë dypartiake”, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
“Ne do të bëjmë disa gjëra të mira me këtë legjislacion”.
Mirëpo “siç e ka thënë edhe presidenti i zgjedhur Biden, ky është hapi i parë dhe neve na duhet të bëjmë më shumë. Më shumë për të gjetur asistencë për virusin, për ta shtypur atë. Më shumë para për të blerë vaksina”, ka thënë ajo në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve.
Republikanët, në anën tjetër, kanë qasje më pak optimiste sapo Biden të marrë detyrën më 20 janar, andaj janë rreshtuar drejt qasjes “prit dhe shiko”, sa i përket ndikimit të vaksinave në pandemi apo shqetësimeve tjera për deficit në rritje.
Fati i dy paketave të ardhshme për ndihmë ekonomike do të varet nga rezultati i dy garave për ulëse në Senat në shtetin e Xhorxhias më 5 janar, që do të vërtetojë se cila parti kontrollon Senatin.
Paketa përfundimtare për ndihmë ekonomike është e ngjashme me paketën prej 1 trilion dollarëve, që është prezantuar nga republikanët në muajin korrik, propozim që atëbotë ishte shumë i vogël për demokratët.
Marrëveshja vjen në kohën kur pandemia dhe kufizimet për ta luftuar përhapjen e saj kanë rritur presionin ndaj rimëkëmbjes ekonomike.
SHIKONI EDHE: Dhoma e Përfaqësuesve miraton një projektligj të ndihmës lidhur me koronavirusinNjë pjesë e madhe e ndihmës së miratuar në muajin mars, tashmë ka skaduar, duke përfshirë edhe disa pagesa për miliona amerikanë të papunë që do të marrë fund pas Festës së Krishtlindjes.
Kompromisi prej 900 miliardë dollarëve përfshin pagesa prej 600 dollarëve për shumë individë amerikanë.
Aty përfshihet edhe ndihma prej 300 dollarëve amerikanë në javë për të papunët, për dallim nga 600 sa ka qenë muaj më parë.
Kritikët thonë se asnjëra shifër nuk është e mjaftueshme.
Në paketë përfshihen edhe qindra miliarda dollarë si ndihmë për bizneset dhe fonde për shpërndarje të vaksinës, për edukim, kujdes të fëmijëve dhe asistencë për qira.
Në marrëveshjen e arritur janë lënë jashtë dy çështje që kanë zgjatur diskutimet për muaj.
Republikanët kanë hequr dorë nga kërkesa për mbrojtje ligjore të bizneseve nga paditë e lidhura me koronavirus, ashtu sikurse kërkesa e demokratëve për ndarje të ndihmës për qeveritë shtetërore dhe ato lokale.