Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, u ka thënë ligjvënësve se do t’i dërgojë edhe 1 miliard dollarë shtesë armë dhe municione Izraelit, thanë tre këshilltarë të Kongresit. Por, ende nuk dihet se sa shpejt do të dërgohen armët.
Kjo është dërgesa e parë e armëve për Izraelin që bëhet publike që kur administrata vendosi gjatë këtij muaji që të ndalonte dërgimin e një dërgese – ku përfshihen 3.500 bomba – në Izrael. Administrata amerikane tha se pauzoi dërgimin e këtyre bombave për shkak të shqetësimeve për numrin e civilëve të vrarë në Gazë dhe që Izraeli të mos i përdorë këto municione në ofensivën e tij në qytetin Rafah të Gazës.
Paketa, për të cilën njoftuan këshilltarët të martën, më 14 maj, përfshin 700 milionë dollarë municione për tanke, 500 milionë për makina taktike dhe 60 milionë për municione për mortajat, thanë këshilltarët të cilët folën në kushte anonimiteti, pasi kjo dërgesë e armëve ende nuk është bërë publike nga administrata.
Ende nuk ka tregues se kur këto armë do të dërgohen në Izrael. Dy këshilltarë thanë se dërgesa nuk është pjesë e paketës së ndihmës që Kongresi miratoi dhe më pas Biden e nënshkroi në ligj muajin e kaluar. Po ashtu, nuk dihet nëse këto armë janë pjesë e ndonjë shitje ekzistuese të armëve apo ndonjë marrëveshje e re.
SHIKONI EDHE: Sa të rëndësishme janë armët e SHBA-së për Izraelin?Administrata Biden është përballur me kritika nga spektri politik për shkak të mbështetjes ushtarake për luftën e Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë që tashmë është në muajin e shtatë. Këto kritika vijnë në kohën kur Biden po lufton që të mposhtë në zgjedhjet presidenciale ish-presidentin Donald Trump.
Disa nga bashkëpartiakët e tij demokratë i kanë kërkuar Bidenit që të kufizojë transferimin e armëve në Izrael në mënyrë që këtij shteti t’i bëhet presion që të bëjë më shumë për mbrojtjen e civilëve palestinezë.
Ligjvënësit republikanë e kanë përdorur pauzën për transferimin e bombave, duke thënë se zvogëlimi i mbështetjes amerikane për Izraelin – aleatit më të afërt në Lindjen e Mesme – dobëson shtetin, i cili po lufton kundër Hamasit dhe grupeve të tjera që mbështeten nga Irani. Dhoma e Përfaqësuesve, kanë thënë republikanët, planifikon që gjatë kësaj jave të shtyjë përpara miratimin e dërgimit të armëve ofensive në Izrael.
Pavarësisht se kanë pauzuar dërgesën me bomba, Biden dhe zyrtarët e administratës së tij e kanë bërë të qartë se ata do të vazhdojnë të dërgojnë dërgesa me armë në Izrael.
Në fillim të javës, zëdhënësi për siguri kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se presidenti Biden do të shohë nëse “Izraeli i ka të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake për të mbrojtur veten kundër të gjithë armiqve, përfshirë Hamasin”.
Ai tha se Biden do t’i ofrojë Izraelit të gjitha aftësitë që i duhen, por ai “nuk do që disa kategori të posaçme të armëve amerikane të përdoren në lloje të caktuara të operacioneve”.