Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, ka përsëritur thirrjet për rritjen e mbështetjes financiare për Ukrainën, në mënyrë që shteti të mund të vazhdojë betejën kundër pushtimit rus, teksa SHBA-ja u shpreh e gatshme për 10 miliardë euro shtesë si ndihmë ekonomike.
Yellen, duke folur në një konferencë për media në Indi në vigjilje të përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës, tha se është kritike për Fondin Monetar Ndërkombëtar që të “lëvizë shpejt” drejt programit për financimin e kredive për Ukrainën.
“Siç ka thënë presidenti [amerikan, Joe] Biden, ne qëndrojmë me Ukrainën në luftën e saj – për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ajo. “Vazhdimi i mbështetjes së fuqishme për Ukrainën do të jetë një temë shumë e rëndësishme e diskutimeve gjatë qëndrimit tim në Indi”.
SHIKONI EDHE: NATO zotohet se do t’i ofrojë Ukrainës më shumë ndihmë ushtarakeYellen do t’i bashkohet ministrave të tjerë të financave dhe krerëve të bankave qendrore nga shtetet e Grupit 20 të premten, në takimin që ata do të zhvillojnë në Bengaluru. Ky do të jetë takimi i parë i madh i G20-s nën presidencën e Indisë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe demokracitë e pasura të G7-s, por edhe Rusia, Kina, Brazili dhe Arabia Saudite.
Ukraina po kërkon të përfitojë një program prej 15 miliardë dollarësh nga FMN-ja, tha të hënën kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, pasi takoi në Kiev drejtoreshën e këtij fondi, Kristalina Georgieva.
Yellen tha se deri më tani SHBA-ja ka ofruar ndihmë financiare, humanitare dhe ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 46 miliardë dollarësh. Kjo ndihmë, sipas saj, i ka mundësuar Ukrainës që të mbajë nën kontroll stabilitetin ekonomik dhe financiar.
“Ndihma jonë ekonomike po e bën të mundshme rezistencën e Ukrainës, duke mundësuar financimin e shërbimeve kritike publike dhe duke mundësuar punën e Qeverisë. Në muajt në vijim, ne presim që të japim rreth 10 miliardë dollarë ndihmë shtesë ekonomike për Ukrainën”, tha ajo.
India, që ka mbajtur qëndrim neutral në luftë, nuk dëshiron që në takimet e G20-s të diskutohet për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë, thanë burimet për Reuters. India po ashtu po kërkon nga pjesëmarrësit që të shmangin përdorimin e fjalës “luftë” në deklaratën zyrtare kur pjesëmarrësit të flasin për konfliktin, thanë zyrtarët.