SHBA mund të ngadalësojë procesin e largimit nga Afganistani

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Ushtria amerikane ka thënë se mund të ngadalësojë procesin e largimit nga Afganistani, për shkak të fitoreve të fundit të talibanëve në disa zona.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby, ka thënë se afati i fundit për largim deri më 11 shtator është ende në kuadër të planit, mirëpo ndërkohë gjërat mund të ndryshojnë.

Zyrtarë të Pentagonit kanë thënë javën e kaluar se gjysma e procedurave për tërheqje pothuajse janë kryer.

Afganistani është përballur me rritje të shkallës së dhunës, teksa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja përgatiten për të larguar trupat që kanë në këtë shtet.

SHIKONI EDHE: A do t'ia dalë Afganistani pa Amerikën?

Në muajin e kaluar, talibanët kanë shtuar sulmet dhe kanë fituar kontrollin e mbi 30 distrikteve.

Ky grup islamist ka konfiskuar edhe sasi të mëdha të pajisjeve ushtarake, dhe ka vrarë, plagosur dhe zënë dhjetëra ushtarë.

Zëdhënës të Qeverisë afgane, kanë mohuar që distriktet kanë rënë nën udhëheqësinë e talibanëve, duke thënë se janë evakuuar përmes “tërheqjes taktike”.

Ende nuk është bërë e qartë sa talibanë kanë vdekur apo janë plagosur.

Talibanët kanë thënë se kontrollojnë gjithë provincën veriore Kunduz, ndërsa vetëm kryeqyteti i provincës është nën kontrollin qeveritar.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

SHIKONI EDHE: Dhjetë vjet nga vrasja e Osama bin Laden

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.