Shtetet e Bashkuara njoftuan se janë duke i shqyrtuar marrëdhëniet dypalëshe me Gjeorgjinë, për shkak të ligjit kontrovers për “agjentët e huaj”, i cili nxiti protesta të mëdha në kryeqytetin Tbilisi.
Në një komunikatë për media, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni do të vendosë edhe regjim vizash ndaj individëve që janë përgjegjës për “minimin e demokracisë në Gjeorgji”.
Legjislacioni – që formalisht quhet Ligji për Transparencë mbi Ndikimin e Huaj – shihet si kopje e një ligji shtypës që zbatohet në Rusi. Besohet se ky ligj ia rrezikon vendit rrugën drejt integrimin në Bashkim Evropian dhe e sjell Tbilisin më afër Moskës.
Ky ligj është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i cili ka thënë se ai “nuk është në përputhje” me përpjekjet e kamotshme të Gjeorgjisë për t’iu bashkuara bllokut.
Your browser doesn’t support HTML5
“Departamenti i Shtetit po zbaton një politikë të re për regjim vizash për Gjeorgjinë, i cili do të vlejë për individët të cilët janë përgjegjës për, apo bashkëfajtorë për minimin e demokracisë në Gjeorgji, si dhe për anëtarët e familjeve të tyre”, tha Blinken.
Në komunikatë nuk përmenden me emër individët të cilët do të sanksionohen.
Kritikët kanë thënë se ky legjislacion u soll nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, me qëllim për ta ruajtur pushtetit nga kjo parti, para zgjedhjeve të këtij viti, të cilat shihen si vendimtare për rrugën euroatlantike të Gjeorgjisë.
Uashingtoni ka qenë mbështetës i palëkundur i integrimit perëndimor të Gjeorgjisë, dhe Blinken tha se ai do ta bëjë një “shqyrtim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Gjeorgjisë”.
“Mbështetja amerikane për demokracinë e Gjeorgjisë është afatgjate dhe thelbësore për marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha Blinken, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta vëzhgojnë çdo lëvizje të Qeverisë së Gjeorgjisë.
SHIKONI EDHE: Dhunë në protestat kundër ligjit për “agjentët e huaj” në GjeorgjiSipas ligjit, i cili nxiti protesta disajavore që u shtypën dhunshëm nga autoritetet, mediat dhe organizatat joqeveritare do të detyrohen të regjistrohen si “ndjekëse të interesave të një pushteti të huaj”, nëse më shumë se 20 për qind e të hyrave të tyre janë financim nga jashtë.
Gjeorgjia e mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE më 14 dhjetor, por ende nuk i ka nisur bisedimet me bllokun, të cilat mund të zgjasin me vite.
Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka ngulur këmbë se mbetet e përkushtuar për t’iu bashkuar institucioneve perëndimore dhe se ligji ka për qëllim vetëm rritjen e transparencës për financimin e OJQ-ve.