Inteligjenca amerikane: Luftimet në Ukrainë do të ngadalësohen në muajt e dimrit

Një ushtar ukrainas duke goditur me artileri pozicionet ruse në afërsi të Bahmutit, në rajonin e Donjeckut. 20 nëntor 2022.

Luftimet në Ukrainë janë ngadalësuar dhe kjo ka të ngjarë të vazhdojë në muajt e ardhshëm të dimrit, besojnë agjencitë e inteligjencës amerikane.

Megjithatë, nuk ka të dhëna se ka zbehje të rezistencës nga ana e forcave ukrainase, tha drejtoresha e inteligjencës amerikane, Avril Haines.

Ajo tha se të dyja palët po tentojnë të “riparohen, rifurnizohen dhe rindërtohen” për çdo kundërsulm në pranverë.

Ky njoftim vjen pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës kritike të energjisë së Ukrainës.
Lufta në Ukrainë tashmë është në muajin e nëntë, por Rusia ka humbur mbi gjysmën e tokës që pushtoi.

Haines tha gjatë një forumi të mbrojtjes në Kaliforni se shumica e luftimeve aktualisht po zhvillohen përreth Bahmutit në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut.

Ajo tha se luftimet janë ngadalësuar pas tërheqjes së trupave ruse nga perëndimi i rajonit të Hersonit muajin e kaluar.

“Po shohim një ritëm të reduktuar në konflikt... ne presim që kjo të ketë të ngjarë të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm”, tha ajo.

SHIKONI EDHE: Zelensky para G20-ës: Tani është koha për të përfunduar luftën

Haines tha se si ushtria e Ukrainës, ashtu edhe ajo e Rusisë, do të tentojnë të përgatiten për çdo kundërofensivë të mundshme pas dimrit.

“Por, në fakt kemi një dozë të konsiderueshme të skepticizmit nëse rusët do të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë”, tha ajo. “Unë jam më optimiste për ukrainasit, bazuar në këtë hark kohor”.

Hainer tha se inteligjenca amerikane beson se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka një pasqyrë të plotë se sa është duke u sfiduar aktualisht ushtria e tij në këtë fazë.

“Ne shohim mungesë municionesh, rënie morali, probleme të furnizimit, një sërë shqetësimesh me të cilat ata po përballen”.

SHIKONI EDHE: “Po ngordhim si miza”: Fshati rus përballet me mungesë burrash

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Moska është goditur me sanksione të ashpra nga Perëndimi, ndërkaq Kievi po furnizohet vazhdimisht me armatime, me qëllim që të përballet me trupat ruse