Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi të hënën se i ka futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Behxheti, për shkak të përfshirjes në “korrupsion të madh”.
Në një njoftim për media, DASH tha se Grubi dhe Bexheti “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”.
Në listën e zezë janë futur edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Grubit, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë mandatit të kaluar 2020-2024.
Në një reagim në Facebook të hënë vonë, Grubi tha se u njoftua në media për vendimin e DASH-it ndaj tij, dhe e mohoi se ka qenë i përfshirë në korrupsion.
“Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, shkroi Grubi.
Mijalkovi është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022.
Mijalkovi u dënua në korrik të vitit 2022 me tri vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, për akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo larje të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit).
LEXONI EDHE KËTO:
Sasho Mijallkov sprovon gjyqësorin maqedonasPasuria 15-milionëshe e Mijallkovit pret vendimin për shitjePërveç në rastin “Perandoria”, ai u dënua edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale.
Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”. Ai u dënua me tri vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.
Por, disa vendime të shkallës së parë janë anuluar nga Gjykata e Apelit dhe janë kthyer në rigjykim, ndërsa për dy vepra tjera ai mund të lirohet nga vuajtja e dënimit për shkak të mundësisë së vjetërsimit të lëndëve.
Rasti i Sasho Mijallkovit ka bërë që gjyqësori në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi të jetë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
SHIKONI EDHE: Ambasadorja amerikane paralajmëron zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e VeriutVendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin vjen rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi më 21 nëntor për zgjerimin e listës së zezë edhe me persona të tjetër të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, Aggeler tha se vendimi i 9 dhjetorit i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin “është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohet”.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i [fusin në listën e zezë] ata të cilët përfshihen në korrupsion të madh, i cili i minon institucionet demokratike dhe prish besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin, ndërsa llogaridhënia është jetike për të përparuar”, tha Aggeler.
Në listën e zezë amerikane janë edhe ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, biznesmeni Orce Kamçev, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademi, ish-ministri i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski dhe të tjerë.