Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara u ka bërë thirrje Rusisë dhe Kinës që të ndryshojnë kursin dhe të ndalojnë së shpërblyeri sjelljen e keqe të Koresë së Veriut dhe të mos e mbrojnë nga shmangia e sanksioneve për shkak të aktiviteteve të programit të armëve.
Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield i bëri këto deklarata gjatë vizitës në Zonën e Çmilitarizimit, një zonë e fortifikuar kufitare mes dy Koreve, të cilat, teknikisht janë në luftë.
Vizita e saj në Korenë e Jugut ndodhi pasi Rusia refuzoi të rinovojë mandatin e panelit shumëkombësh të ekspertëve, i cili gjatë 15 vjetëve të fundit ka monitoruar zbatimin e sanksioneve të OKB-së që synojnë të frenojnë programin bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut.
Vetoja e Moskës dhe abstenimi i Kinës vetëm “fuqizon” përpjekjet e Koresë së Veriut për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe “e mbrojnë” atë nga llogaridhënia, tha Thomas-Greenfield.
“Fshehja e të vërtetës nuk e ndryshon këtë. Shpërblimi i sjelljes së keqes vetëm e inkurajon atë”, tha ajo për gazetarët. “Ne u bëjmë thirrje Rusisë dhe Kinës që të ndryshojë kursin dhe të nxisin Phenianin që të zgjedhë diplomacinë dhe të kthehet në tavolinën e bisedimeve e të angazhohet në një dialog konstruktiv”.
SHIKONI EDHE: Seuli kritikon Moskën për bllokimin e monitorimit të sanksioneve ndaj PhenianitUashingtoni do të punojë me Korenë e Jugut, Japoninë dhe partnerët e tjerë në Këshillin e Sigurimit “për të gjetur mënyra kreative” që të vazhdohet monitorimi i sanksioneve dhe punëve të tjera që kryheshin nga paneli, tha Thomas-Greenfield.
Pas vizitës në Zonën e Çmilitarizuar, ambasadorja amerikane u takua me disa të rinj që kanë ikur nga Koreja e Veriut.
Thomas-Greenfield ka nisur vizitën e saj në Korenë e Jugut të dielën dhe është takuar me presidentin, Yoon Suk Yeol, dhe me ministrin e Mbrojtjes, me të cilët ka diskutuar për mënyrat se si të pengohen programet e armëve të Koresë së Veriut.
Më pas, ambasadorja amerikane do të vizitojë Japoninë, ku pritet të takohet me familjet e qytetarëve japonezë që u rrëmbyen nga Koreja e Veriut më 2000, dhe do të vizitojë Nagasakin, qytetin që SHBA-ja kishte sulmuar me bombë bërthamore më 1945.