SHBA-ja kërkon hetim për ndërhyrjen "dashakeqe" të Rusisë në zgjedhjet në Rumani

Kandidati prorus, Calin Georgescu, (djathtas) e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, dhe do të garojë kundër kandidates proevropianes, Elena Lasconi, (majtas) në balotazhin e 8 dhjetorit.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një hetim të plotë ndaj lëvizjeve të Moskës për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Rumani, pasi dokumentet e publikuara të mërkurën zbuluan se ky vend ishte në shënjestër të një “veprimi agresor hibrid nga Rusia”, që çoi drejt fitores befasuese të kandidatit prorus muajin e kaluar.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) i publikoi dokumentet e klasifikuara, duke thënë se ato tregojnë se anëtarja e NATO-s dhe BE-së ishte në shënjestër të veprimeve të ndryshme e bashkërenduara para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 nëntorit, të cilin e fitoi Calin Georgescu.

Këshilli tha se Georgescu fitoi falë një fushatë të bashkërenduar në rrjetet sociale, e cila u orkestrua nga një “aktor shtetëror” sipas të gjitha gjasave.

SHIKONI EDHE: Si e ndihmoi TikTok-u kandidatin e ekstremit të djathtë në Rumani

Në zgjedhjet parlamentare një javë më vonë partitë proruse shënuan rritje të madhe duke i marrë rreth një të tretën e votave, edhe pse partitë proevropiane duket se kanë marrë mjaftueshëm vota për ta formuar koalicionin qeverisës.

Më 8 dhjetor, votuesit do të vendosin fituesin e zgjedhjeve presidenciale në një balotazh ku garojnë Georgescu dhe kandidatja proevropiane, Elena Lasconi.

Sipas dokumenteve të deklasifikuara, shërbimi i inteligjencës i Rumanisë beson se Georgescu është promovuar masivisht në TikTok me mbështetje nga Rusia, përmes metodave të shumta, duke përfshirë llogari të koordinuara, algoritme për të rritur praninë e tij në platformë dhe promovim me pagesë.

Dokumentet shpjegojnë se si popullariteti i Georgescut u rrit nga 1 për qind pak para garës në 22 për qind, përmes një operacioni të gjerë manipulimi që përfshinte influencerë dhe mashtroi institucione rumune si dhe votues të zakonshëm.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se, megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk ndërhyjnë në zgjedhjen e popullit rumun apo në procesin zgjedhor, Uashingtoni është "i shqetësuar nga raporti i CSAT-it për përfshirjen ruse në aktivitete kibernetike dashakeqe me qëllim për të ndikuar në integritetin e procesit zgjedhor të Rumanisë".

SHIKONI EDHE: Pesë gjëra të rëndësishme nga zgjedhjet parlamentare në Rumani

Miller tha se Rumania është aleat i fortë i NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë kontributet e saj në sigurinë e aleancës, dhe se pozita e fituar me vështirësi e vendit në komunitetin transatlantik nuk mund të ndryshohet "nga aktorë të huaj që kërkojnë të largojnë politikën e jashtme të Rumanisë prej aleancave të saj perëndimore".

Një ndryshim i tillë i politikës do të kishte "pasoja serioze negative në bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Rumanisë për sigurinë", tha Miller.

Dokumentet e deklasifikuara tregojnë se influencerë në TikTok u rekrutuan për ta promovuar Georgescun, si drejtpërdrejt duke e mbështetur publikisht, ashtu edhe në mënyrë të tërthortë përmes mesazheve neutrale që përmbanin hashtage të lidhura me të.

Janë zbuluar dhjetëra llogari në TikTok që përdornin në mënyrë të rrejshme logon e shërbimit të inteligjencës dhe titullin Brigada Kundër Terrorizmit (BAT), secila me mijëra ndjekës dhe mbi 100.000 pëlqime.

Shërbimet e inteligjencës rumune lanë të kuptohet se janë shpenzuar shuma të mëdha parash në këtë operacion. Georgescu ka deklaruar para autoriteteve zgjedhore rumune se nuk ka shpenzuar asgjë për fushatën e tij.

SHIKONI EDHE: Gjykata rumune njeh rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, balotazhi më 8 dhjetor

Shërbimi i inteligjencës e lidhi operacionin me Rusinë duke vënë në dukje se të dhënat e qasjes për faqet zyrtare zgjedhore të Rumanisë u publikuan në platformat ruse të krimit kibernetik. Të dhënat e qasjes ka të ngjarë të jenë siguruar duke shënjestruar përdorues legjitimë ose duke shfrytëzuar serverin e trajnimit legjitim, tha shërbimi i inteligjencës.

Rusia e ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet e Rumanisë.

Deklarata e Departamentit të Shtetit tha se Uashingtoni i ka ndjekur “nga afër zgjedhjet në Rumani" dhe se "do të vazhdojmë të punojmë së bashku [me autoritetet rumune] për të ruajtur sigurinë e kombeve tona dhe mirëqenien e qytetarëve tanë".