Avionët luftarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë u ngritën në ajër pasi dy avionë rusë dhe dy të ushtrisë kineze u detektuan në hapësirën ndërkombëtare, afër Alaskës bëri të ditur Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD).
“NORAD detektoi, gjurmoi dhe pengoi dy avionë rusë TU-95 dhe dy avionë ushtarakë PRC H-6 duke operuar në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës [ADIZ] më 24 korrik 2024. Avionët luftarakë të NORAD-it nga SHBA-ja dhe Kanadaja kryen operacionin”, u tha në deklaratë.
“Zona e identifikimit” është një pjesë e hapësirës ajrore ndërkombëtare që vepron si zonë ndalimi dhe zona gjendet aty ku përfundon hapësira ajrore kombëtare e SHBA-së dhe Kanadasë. Të gjithë avionët që hyjnë në ADIZ duhet të identifikohen për arsye të sigurisë kombëtare, tha NORAD.
Prania e avionëve rusë dhe kinezë nuk u pa si kërcënim, pasi që fluturaket qëndruan në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe nuk shkelën sovranitetin ajror të SHBA-së apo Kanadasë, tha NORAD, duke shtuar se do të “vazhdojmë të monitorojmë aktivitetin e konkurrentëve afër Amerikës së Veriut dhe do t’i përgjigjemi pranisë me prani”.
Rusia për një kohë të gjatë ka prani ushtarake në Paqësorin Verior dhe pengimi i avionëve rusë është relativisht i zakonshëm në këtë zonë.
Pengim i referohet kontaktit pamor apo elektronik të avionëve të huaj nga ata të NORAD-it.
Ushtria e Pekinit në vitet e fundit ka zgjeruar praninë e saj përtej Kinës, me anijet kineze që janë detektuar në ujërat afër Alaskës.
Më herët gjatë këtij muaji, SHBA-ja detektoi katër anije të Kinës në Zonën Ekskluzive Ekonomike të SHBA-së, që është një zonë prej 370 kilometrash që shtrihet në det nga brigjet amerikane.