Irani është goditur me sanksione të reja amerikane për shkak të furnizimeve me dronë dhe pajisje tjera të grupeve kryengritëse që i mbështet në Irak, Liban, Jemen dhe Etiopi.
Sanksionet e reja janë vendosur ndaj dy anëtarëve të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit (IRCG), dy individëve tjerë dhe dy kompanive për të cilat Shtetet e Bashkuara thonë se janë të lidhura me programin e dronëve të IRCG-së.
Njoftimi për sanksionet është bërë nga Departamenti i Thesarit në SHBA, i cili ka thënë se përhapja e këtyre mjeteve nga Irani kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.
“IRGC-ja ka përdorur dhe përhapur dronët, përmes të cilëve janë bërë edhe sulmet ndaj forcave të SHBA-së dhe anijeve ndërkombëtare”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
SHIKONI EDHE: Irani pajtohet për rinisjen e negociatave bërthamoreDy firmat, Kimia Part Sivan Company dhe Oje Parvaz Mado Nafar Company, së bashku me drejtorin menaxhues të kësaj të fundit, u sanksionuan për furnizim me motorë dhe asistencë teknike për programin e dronëve, tha Departamenti i Thesarit.
“Ne jemi të vendosur të kundërshtojmë të gjithë aktivitetin kërcënues të Iranit dhe atyre që e mbështesin atë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në Twitter.
Sanksionet përfshijnë bllokimin e pasurisë në Shtetet e Bashkuara të individëve dhe subjekteve tjera. Pastaj masa u ndalon amerikanëve të kryejnë transaksione biznesi me këto subjekte ndërsa ata që bashkëpunojnë me këta individë apo kompani përballen me ndëshkime të mundshme.
SHIKONI EDHE: Kosova sanksionon 7 persona dhe një kompani për lidhje me HezbollahunSanksionet amerikane u vendosën në kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden, përgatitej për takime me udhëheqësit evropianë, me të cilët pritet të diskutojë për rifillimin e mundshëm të bisedimeve bërthamore me Iranin.
Biden do të takohet me liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë më 30 tetor në Romë gjatë një samiti të Grupit 20-ës. Irani ka thënë se është i gatshëm t’iu kthehet bisedimeve, mirëpo ende nuk ka caktuar një afat se kur mund të ndodhë kjo.
Negociatat u pezulluan në qershor përpara zgjedhjeve në Iran të cilat e sollën në pushtet presidentin e linjës së ashpër Ebrahim Raisi. Pak përparim është bërë në bisedime gjatë gjashtë raundeve të zhvilluara këtë vit.
Marrëveshja mes fuqive botërore dhe Iranit e arritur në vitin 2015 kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimin të sanksioneve ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqen më 2018 nga kjo marrëveshje dhe vendosën sanksione të ashpra ndaj Iranit. Në anën tjetër Teherani filloi me shkeljen e kushteve të marrëveshjes.