SHBA-ja dhe Kosova kërkojnë drejtësi për vëllezërit Bytyqi

Rivarrimi i vëllezërve Bytyqi në vitin 2002

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd përmes një komunikate, u ka bërë thirrje autoriteteve serbe, që të ndriçojnë rastin e vrasjes së Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi në vitin 1999.

Shtetet e Bashkuara, në 20 vjetorin e vrasjes së tyre, thonë se zbardhja e këtij rasti mbetet përparësi në marrëdhëniet midis dyja vendeve.

“Sot shënojmë një përvjetor të zymtë. Njëzet vjet më parë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u morën nga një stacion policor dhe u dërguan në një njësinë e posaçme të policisë. Dy vjet më vonë, trupat e këtyre tre shtetasve amerikanë u gjetën në Petrovo Selo në Serbinë lindore në një bazë të kontrolluar nga një njësi nën komandën e Guri Radosavljeviç. Duart e viktimave ishin të lidhura prapa shpinës dhe secili prej tyre ishte qëlluar në kokë”, thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane.

Edhe autoritetet e Kosovës, kanë bërë thirrje për zbardhjen e këtij rasti. Presidenti Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka thënë “se përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd”.

“U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb”, ka thënë Thaçi.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli po ashtu kërkoi drejtësi, për rastin e vëllezërve Bytyqi. Ai shkroi se “drejtësia për mijëra viktima të gjenocidit serb në Kosovë kurrë nuk do të mund të shmanget.

Ndërkaq, kryeministri, Ramush Haradinaj ka thënë se qeveria që drejton, nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë, për rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, 20 vjet më parë.

“Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Çështja e vëllezërve Bytyqi, ka dominuar gjithmonë bisedimet, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe atyre nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti dhe dënimin e vrasësve.

Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Kongresisti amerikan Eliot Engel, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, gjatë vizitës në Beograd, javën e kaluar, tha se “rasti Bytyçi është dashur të zgjidhet kohë më parë”.

“Është një tragjedi e tmerrshme, të gjithë janë vrarë. Ka qenë vrasje e paramenduar dhe mendoj se autoritetet serbe duhet ta zgjidhin sa më parë. Zoti Vuçiq e di shqetësimin tim në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi. Kemi folur detajisht për këtë në Uashington dhe tani në Beograd”, tha Engel.