SHBA thotë se Irani i ofroi fushatës së Bidenit të dhëna të vjedhura të Trumpit

Kandidati republikan Donald Trump për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe agjencitë e tjera federale të Shteteve të Bashkuara thonë se hakerët iranianë u dërguan emaile të pakërkuara individëve të lidhur me fushatën e presidentit Joe Biden për zgjedhjet e nëntorit, të cilat përmbanin pjesë të të dhënave të vjedhura dhe jopublike të fushatës së ish-presidentit Donald Trump.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), FBI-ja dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës së Sigurisë (CISA), thanë në një komunikatë të përbashkët më 18 shtator se Irani bëri përpjekje të ndjellë përçarje dhe ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

“Aktorët kibernetikë dhe dashakeq iranianë ia kanë vazhduar përpjekjet prej qershorit për t’iu dërguar mediave amerikane materiale të vjedhura dhe jopublike të ndërlidhura me fushatën e ish-presidentit Trump”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se nuk ka të dhëna tani për tani që tregojnë ndonjë prej pranuesve të emaileve kanë kthyer përgjigje.

SHIKONI EDHE: Irani përpiqet t’i “bombardojë” zgjedhjet në SHBA me dezinformata në stilin rus

“Kjo veprimtari kibernetike dashakeqe është shembulli më i fundit i qasjes së gjithanshme të Iranit, siç u theksua në deklaratën e përbashkët nga gushti, për të ndjellë përçarje dhe për ta minuar besimin në procesin tonë zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Komuniteti i inteligjencës amerikane ka paralajmëruar se pret që Rusia, Kina dhe Irani të përpiqen të ndikojnë në politikat e SHBA-së “për përfitim të interesave të veta dhe për ta minuar demokracinë amerikane dhe qëndrimin e Uashingtonit në botë”.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor. Votuesit do të zgjedhin mes kandidatit republikan Donald Trump dhe asaj demokrate Kamala Harris.

Bideni ishte kandidat demokrat deri më 21 korrik, kur njoftoi se u tërhoq nga gara dhe e mbështeti Harrisin si zëvendësuese të tij.