Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar pamje satelitore dhe kanë cituar zyrtarë të inteligjencës për të mbështetur pretendimin se Irani ka qenë mbrapa sulmeve në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite.
Irani ka mohuar përfshirjen në sulmet ajrore që kanë ndodhur të shtunën, të cilat është pretenduar të jenë kryer nga rebelët huthi në Jemen, që janë të lidhur me Iranin.
Sekretari amerikan për Energji, Rick Perry ka dënuar atë që e ka cilësuar si “sulm të Iranit në Mbretërinë e Arabisë Saudite”, gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën në Vjenë, në një konferencë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike.
“Kjo sjellje është e papranueshme dhe ata duhen të mbahen përgjegjës”, ka thënë Perry duke iu referuar Iranit.
“Mos u gaboni, ky është një sulm i qëllimshëm në ekonominë globale dhe në tregun global të energjisë”, ka shtuar ai.
Disa zyrtarë amerikanë kanë thënë për mediat ndërkombëtare se drejtimi dhe madhësia e sulmit ngre dyshime për përfshirjen e rebelëve huthi.
Ky incident ka zvogëluar furnizimet me naftë për 5 për qind, çka ka ndikuar në rritje të çmimeve.
Çfarë ka thënë SHBA-ja?
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka fajësuar Iranin gjatë fundjavës, pa ofruar të dhëna, duke nxitur Teheranin që ta akuzojë Uashingtonin për mashtrim.
Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter të dielën, presidenti amerikan, Donald Trump po ashtu ka akuzuar Iranin, si dhe nuk ka përjashtuar veprimet ushtarake kur të bëhet i ditur kryesi i sulmit.
Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë kanë dhënë deklarata për mediume të ndryshme ndërkombëtare, si New York Times, ABC dhe Reuters.
Një zyrtar ka thënë se ekzistojnë 19 zona të ndikimit në shënjestra dhe sulmet janë nisur nga perëndimi e veriperëndimi dhe jo nga territori i kontrolluar nga rebelët huthi në Jemen, që shtrihet në pjesën jugperëndimore të rafinerive të naftës saudite.
Sipas këtij zyrtari sulmet mund të jenë nisur nga zonat në veri të Gjirit Persik, përkatësisht Iranit apo Irakut.
Një fotografi që tregon në afërsi tanket në impiantin e përpunimit Abqaiq tregon se zona është dëmtuar nga ana perëndimore.
Zyrtarët e cituar në të përditshmen, New York Times, kanë thënë se mund të jenë pozicionuar një varg dronësh dhe raketash, mirëpo jo të gjitha kanë goditur shënjestrat e tyre në rafineritë Abqaiq dhe Khurais.
ABC ka cituar një tjetër zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se Trump është plotësisht i vetëdijshëm që Irani është përgjegjës.
Çfarë po ndodhë në tregjet e naftës?
Çmimi i naftës është rritur.
Shitja e naftës së papërpunuar është rritur për 10 për qind, 66.28 dollarë për fuçi.
Bloomberg e ka përshkruar këtë rritje si më të madhen brenda ditës nga viti 1988.
Çmimet e naftës nga SHBA-ja janë rritur për 8.9 për qind, duke prekur shifrën e 59.75 dollarëve në tregtinë aziatike, mirëpo ato janë ulur paksa, pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka autorizuar shfrytëzimin e rezervave të SHBA-së.
Si ka reaguar Irani?
Irani pritet që t’iu përgjigjet deklaratave amerikane, ndonëse ministri i Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif ka thënë të dielën përmes një postimi në Twitter se “pas dështimit të presionit maksimal, Sekretari Pompeo i është kthyer mashtrimit maksimal”.
Ai i është referuar qasjes së administratës së Trumpit për “fushatë me presion maksimal”, e cila ka shënjestruar Iranin me sanksione prej kur Uashingtoni është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.
Pse rebelët huthi mund ta kenë sulmuar Arabinë Saudite?
Rebelët huthi kanë nisur vazhdimisht raketa dhe dronë drejt zonave të populluara në Arabinë Saudite.
Sulmet kanë lënë të paktën katër civilë të vdekur.
Jemeni është shkatërruar nga një konflikt që është përshkallëzuar në mars të vitit 2015, kur rebelët huthi kanë fituar kontrollin e pjesës më të madhe në perëndim të shtetit dhe kanë detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi që të largohet nga shteti.
SHIKONI EDHE: Rebelët Huthi marrin përgjegjësinë për sulmet me dronë në Arabinë SauditeTë alarmuar nga rritja e grupit që besohet se mbështetet ushtarakisht nga Irani, Arabia Saudite dhe tetë shtete tjera me shumicë të myslimanëve sunitë kanë nisur fushatë ajrore me qëllim të rikthimit të qeverisë së Hadit dhe kanë vendosur bllokadë të pjesshme në Jemen.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se si pasojë e konfliktit kanë vdekur të paktën 7,290 civilë dhe 80 për qind e popullsisë, apo 24 milionë persona kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe mbrojtje.
Zëdhënësi i rebelëve huthi, Yahya Sarea ka thënë të shtunën se operacionet kundër shënjestrave saudite “mund të rriten më shumë dhe se do të jenë më të dhimbshme se kurrë më parë, sa më shumë që zgjat agresioni dhe bllokada”.