Departamenti amerikan i Shtetit, ka njoftuar se ka shpallur terroristë tre liderë të degës së grupit militant, Shteti Islamik në Afganistan (IS-K).
Në një deklaratë të publikuar më 22 nëntor, ky Departament ka thënë se tre anëtarët janë shpallur të tillë sipas aktit për terroristët globalë.
Aty po ashtu është thënë se një tjetër person është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Thesarit, meqë ka ofruar ndihmë financiare për IS-K.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të përdorur të gjitha mjetet kundër-terrorizmit për të luftuar kërcënimin që vjen nga Shteti Islamik Korasan dhe për t’u siguruar se Afganistani nuk do të bëhet më platformë për terrorizëm ndërkombëtar”, ka thënë ky Departament.
SHIKONI EDHE: Afganistani gjithnjë e më i rrezikuar nga IS-KNë mesin e të shpallurve si terroristë është edhe Sanaullah Ghafari, i njohur edhe si Shahab al-Muhajir, i cili është identifikuar si “emiri aktual” i IS-K.
Në deklaratë është thënë se ai është emëruar në këtë pozitë në qershor të vitit 2020 dhe se është përgjegjës për miratim të të gjitha operacioneve të IS-K në Afganistan.
Dy personat tjerë janë: Sultan Aziz Azam dhe Maulawi Rajab.
Dega e IS-it në Afganistan ka shtuar sulmet prej kur talibanët kanë marrë pushtetin në këtë shtet, në gusht të këtij viti.
Talibanët nuk kanë arritur të ndalin zgjerimin e këtij grupi, i cili tani duket se është prezent në gati të gjitha provincat.
Numri i sulmeve që i është atribuuar grupit është rritur nga 60 vitin e kaluar, në 334 këtë vit, kanë thënë zyrtarët amerikanë.