Austin thotë se s’ka tregues që Hamasi po planifikon sulm ndaj forcave amerikane

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, gjatë një konference për media në Pentagon më 26 prill 2024.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ai nuk sheh asnjë tregues që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po planifikon të sulmojë trupat amerikane në Gazë.

Megjithatë, Austin shtoi se janë ndërmarrë masat e duhura për sigurinë e personelit ushtarak.

“Unë nuk flas publikisht për informacione të inteligjencës. Por, aktualisht nuk shoh asnjë tregues se ka ndonjë qëllim aktiv për të bërë diçka të tillë”, tha Austin gjatë një konference për media.

“Thënë këtë... kjo është zonë lufte dhe shumë gjëra mund të ndodhin dhe shumë gjëra do të ndodhin”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja vazhdon të hedhë ndihma nga ajri në Gazë

Një port humanitar, që po ndërtohet nga ushtria amerikane për të përshpejtuar dërgesat e ndihmës humanitare në Gazë, do të hapet brenda ditësh, pavarësisht se moti i keq po pengon përgatitjet, tha zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

SHBA-ja u ka bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit që të sigurojnë që ndihma e dedikuar për civilët në Gazë të mos pengohet, pasi një dërgesë nga Jordania u sulmua nga kolonët izraelitë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e kontrolluar nga Hamasi.