Florida urdhëron evakuimin e banorëve për shkak të uraganit Idalia

Dëmet në Florida nga uragani Ian. Fotografi nga arkivi.

Banorët përgjatë bregut perëndimor të Floridës janë urdhëruar që të evakuohen para arritjes së uraganit Idalia, pasi meteorologët thanë se stuhia po forcohej dhe mund të bëhet “shumë e rrezikshme” kur të arrijë në Florida.

Idalia, sipas Qendrës kombëtare amerikane për Uragane (NHC) u bë uragan i kategorisë së parë gjatë natës, dhe të martën është nisu drejt jugperëndimit të Floridës.

Uragani po kalon nëpër ujërat e ngrohtë të Gjirit të Meksikës që arrijnë në temperatura deri në 31 gradë Celsius dhe stuhia pritet të “bëhet një uragan jashtëzakonisht i rrezikshëm kur të arrijë në Florida të mërkurën”, tha NHC.

Uragan të rrezikshëm konsiderohen ata që janë në kategorinë tre apo më shumë, por sipas NHC-së, stuhia mund të shkaktojë dëme “shkatërruese” dhe “katastrofike”.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, u bëri thirrje banorëve që gjenden në zonat përgjatë Gjirit që të evakuohen menjëherë.

SHIKONI EDHE: Florida goditet nga uragani Nicole, pëson rrëshqitje dheu

Sipas autoriteteve, 23 qarqe janë urdhëruar që të evakuohen dhe banorët janë udhëzuar që të shkojnë në strehimore apo hotele që gjenden jashtë zonës së rrezikut.

“Ky do të jetë një uragan i fuqishëm, me gjasë i kategorisë tre”, tha DeSantis.

Mbi 100 persona humbën jetën vitin e kaluar kur uragani Ian goditi brigjet perëndimore të Floridës. Ky uragan, që ishte i kategorisë katër, u përcoll me erëra të fuqishme që shkatërruar ura e ndërtesa. Dëmet e shkaktuara nga stuhia vlerësohet se janë mbi 100 miliardë dollarë.

Idalia pritet të godas pjesën veriore të Floridës, një pjesë që sipas DeSantis, nuk është përballur “me ndonjë uragan të madh për një kohë të gjatë”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar të hënën me DeSantis dhe ka miratuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në shtet, duke premtuar se Florida do të ketë mbështetje të plotë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Xhorxhia dhe Kalorina e Jugut po ashtu janë duke vëzhguar situatën me kujdes, pasi stuhia pritet të kalojë afër këtyre shteteve, para se të kalojë në Atlantik.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se stuhitë po bëhen më të fuqishme pas ngrohjes së globit për shkak të ndryshimeve klimatike.