Qeveria amerikane e ka paralajmëruar privatisht Iranin për “kërcënimin terrorist” brenda kufijve të tij, para sulmit vdekjeprurës të këtij muaji, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka thënë një zyrtar amerikan të enjten.
Si pasojë e sulmit janë vrarë rreth 100 persona dhe janë plagosur dhjetëra tjerë.
Ndonëse ky zyrtar ka thënë se paralajmërimi për sulmin e 3 janarit – kur kanë ndodhur dy sulme vetëvrasëse në qytetin jugperëndimor Kerman – ka qenë rutinë, analistët besojnë se diçka e tillë mund të japë shenja për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar besim te Irani.
SHIKONI EDHE: Irani thotë se vrau dy të dyshuar në lidhje me sulmet në Kerman“Qeveria amerikane e ka përcjell politikën e ‘detyrimit për paralajmërim’, e cila është zbatuar prej administratave të kaluara për t’i njoftuar qeveritë për kërcënimet potenciale vdekjeprurëse. Ne i bëjmë këto paralajmërime, sepse nuk dëshirojmë të shohim jetë të humbura të njerëzve të pafajshëm në sulme terroriste”, ka thënë një zyrtar amerikan në kushte anonomiteti.
E përditshmja amerikane Wall Street Journal ka raportuar e para, të enjten, për këto paralajmërime.
Jon Alterman, drejtor në programin për Lindje të Mesme të Institutit CSIS në Uashington, ka thënë se paralajmërimi mund të reflektojë dëshirën e SHBA-së për të pasur dialog me Iranin, pavarësisht sulmeve të fundit nga bashkëpunëtorë të Iranit ndaj interesave amerikane, izraelite dhe të vendeve perëndimore, si dhe avancimit të programit bërthamor nga ana e Teheranit.
“Kjo është një degë ulliri”, ka thënë Altman, duke shtuar se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, beson se nga dialogu mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të përfitojnë të dyja palët.
Përpjekjet e Bidenit, demokrat, për të ringjallur marrëveshjen bërthamore, të arritur mes fuqive botërore dhe Iranit më 2015 – nga e cila SHBA-në e ka nxjerr ish-presidenti amerikan, Donald Trump më 2018 – kanë dështuar, mirëpo Atlman ka sugjeruar se ndihmësit e Bidenit ende dëshirojnë të gjejnë rrugë për të biseduar me Teheranin.
SHIKONI EDHE: Raisi kërkon lehtësim të sanksioneve amerikaneSipas marrëveshjes bërthamore, Teherani duhet të heqë dorë prej programit bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ndaj saj.
Pas largimit të SHBA-së nga pakti bërthamor, edhe Teherani ka nisur t’iu shmanget pikave të marrëveshjes, dhe ka punuar drejt avancimit të mëtejmë të sistemit bërthamor, të cilin pretendon se e zhvillon vetëm për qëllime të mbrojtjes.