Shtetet e Bashkuara thanë se janë të gatshme të takohen me Iranin për programin e tij bërthamor dhe i lehtësuan masat kufizuese për diplomatët iranianë, të akredituar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Administrata e Joe Bidenit njoftoi po ashtu Këshillin e Sigurimit të OKB-së se ka anuluar një mekanizëm, me të cilin ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të rikthente të gjitha sanksionet e OKB-së kundër Iranit.
Richard Mills, ushtrues i detyrës së ambasadorit të SHBA-së në OKB, tha në një letër se sanksionet që pritej të riktheheshin në gusht, “mbeten të përfunduara”.
Të gjitha këto lëvizje paraqesin një ndryshim në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit.
SHIKONI EDHE: Khamenei: Irani do veprime, jo fjalë për marrëveshjen bërthamoreIsh-presidenti Trump ka marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Republikës Islamike, duke e akuzuar atë për nxitje të dhunës ekstremiste në Lindjen e Mesme dhe përpjekje për të zhvilluar armë bërthamore - akuza që Teherani i ka mohuar.
Në maj të vitit 2018, Trump e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e arritur në vitin 2015, dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike kundër tij. Në përgjigje, Irani ka nisur të shkelë kushtet e marrëveshjes.
Presidenti Biden ka shprehur gatishmëri për t'u angazhuar me Teheranin, megjithëse ka këmbëngulur se ai duhet të kthehet në kushtet e marrëveshjes, përpara se të diskutohet mundësia e lehtësimit të sanksioneve.
Prejse Trump është tërhequr nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet, Teherani ka nisur shkeljen graduale të marrëveshjes, përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele të larta.
Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të bërë karburant për reaktorë, por edhe për bomba bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është i pastër 90%.
SHIKONI EDHE: IAEA: Irani po e shkel marrëveshjen bërthamoreDepartamenti amerikan i Shtetit tha se SHBA-ja do të pranonte ftesën nga Bashkimi Evropian, për të marrë pjesë në një takim të nënshkruesve të marrëveshjes bërthamore.
Uashingtoni nuk ka marrë pjesë në takime të tilla qëkur Trump është tërhequr nga marrëveshja.
“Shtetet e Bashkuara do të pranonin një ftesë nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, për të marrë pjesë në një takim të grupit P5 + 1 dhe Iranit, për të diskutuar një rrugë diplomatike rreth programit bërthamor të Iranit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Ftesa nuk është bërë ende, por ajo pritet së shpejti, pas diskutimeve që kanë zhvilluar të enjten diplomatët e lartë të SHBA-së, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.
Përveç të lartpërmendurave, nënshkruese të marrëveshjes me Iranin janë edhe Kina e Rusia.
SHIKONI EDHE: Sa afër është Irani që të prodhojë bombë bërthamore?Diplomati i lartë i BE-së, Enrique Mora, i cili i propozoi bisedimet e tilla, tha se ky është një “moment kritik” për marrëveshjen.
Irani nuk i është përgjigjur zyrtarisht rinisjes së bisedimeve, të propozuara nga BE-ja.
Por, në një postim në Twitter, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, sugjeroi se vendi i tij do të veprojë plotësisht në përputhje me marrëveshjen bërthamore, vetëm pasi të hiqen sanksionet e SHBA-së.
SHIKONI EDHE: Shtetet evropiane i bëjnë thirrje Iranit të respektojë marrëveshjen bërthamoreNë një tjetër zhvillim, misioni i SHBA-së në Kombet e Bashkuara tha se do t’i lehtësojë kufizimet e mëdha, të vendosura nga administrata Trump, mbi lëvizjet e diplomatëve iranianë në OKB.
“Ideja këtu është që të ndërmarrim hapa për t’i hequr pengesat e panevojshme ndaj diplomacisë shumëpalëshe, duke ndryshuar kufizimet në udhëtimet e brendshme”, u tha gazetarëve një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Trump, në vitin 2019, i ka ndaluar diplomatët iranianë të lëvizin larg selisë së OKB-së në Nju Jork dhe misionit të tyre.