Departamenti amerikan i Shtetit tha se përparimi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.
“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një shtet sovran, multietnik dhe të pavarur të integruar në strukturat euroatlantike”, tha përmes një deklarte, zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me thirrjet e SHBA-së dhe BE-së që të themelojë Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe 2015. Por, ai është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive.
SHIKONI EDHE: Escobar: Diskutimet për Asociacionin duhet të nisin menjëherëGjykata Kushtetuese më 2015 gjeti se Marrëveshje mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Kurti gjatë shkurtit ka paraqitur disa kushte për themelimin e Asociacionit, përfshirë edhe që të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe t’i ndryshohet emri.
DASH po ashtu e cilësoi si “hap të mirë përpara” rundin e dialogut të zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt, kur palët u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
Megjithatë, zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, tha se tani mbetet “puna e vështirë”.
“Marrëveshja për zbatimin e ankesit është thelbësor për normalizimin, sipas propozimit të BE-së”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Çfarë pas pranimit të propozimit të BE-së?Bashkimi Evropian ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri që të punojnë në zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve.
Gjatë takimit të 27 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan se nuk ka nevojë për negociata të mëtejme për propozimin e BE-së, që ata kanë pranuar shtatorin e kaluar.
Pas takimit, Vuçiq deklaroi se për shtetin e tij më i rëndësishëm është themelimi i Asociacionit, që kundërshtohet nga Kurti.
BE-ja tha se tani u mbetet palëve që të punojnë në planin e zbatimit, në mënyrë që gjatë marsit të ketë një takim të ri të liderëve për këtë propozim.