Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara në Beograd, e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.
Ambasada e Ukrainës, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
“Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t'i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Institucionet e BE-së: Serbia t'i mbështesë sanksionet ndaj RusisëAmbasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se, “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.
“Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.
Qeveria e Serbisë dhe BIA pa përgjigje
Media shtetërore ruse ka raportuar më 24 maj se drejtori i BIA-s, Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.
Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e tij në Konferencën në Moskë, nuk është publikuar në faqet e internetit të institucioneve zyrtare në Serbi.
As Qeveria e Serbisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me këtë çështje.
Në fotot e publikuara nga Russia Today Balkan, në gjuhën serbe, si pjesë e lajmeve të 24 majit, Vulin shihet me pjesëmarrësit e tjerë të Konferencës, përfshirë Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska – njërën prej entiteteve të Bosnje-Hercegovinës.
SHIKONI EDHE: BE kritikon vizitën e Dodikut në MoskëPyetjes së REL-it, lidhur me këtë çështje, nuk i është përgjigjur BIA.
Lëvizja Socialiste, themeluesi i së cilës është Vulin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë në dijeni për aktivitetet e tij si drejtor i BIA-s, sepse “menjëherë, pasi është emëruar në pozitën e drejtorit të BIA-s, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Socialiste, dhe e ka pezulluar anëtarësinë e tij në parti”.
Lëvizja Socialiste është partnere e koalicionit me Partinë Progresive Serbe, në pushtet.
Vulin është një nga zyrtarët e paktë evropianë që ka vazhduar vizitat te zyrtarët rusë në Kremlin, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Lëvizje kundërproduktive”
Një pjesëmarrje e tillë sigurisht që dërgon një imazh negativ në botë, veçanërisht për partnerët tanë, që janë investitorët më të mëdhenj, dhe gjithashtu partnerët më të mëdhenj tregtarë sot, ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Darko Obradoviq nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike, me seli në Beograd.
“Mendoj se është kundërproduktive që dikush nga Serbia të marrë pjesë në konferencat parandërkombëtare të Moskës”.
Sipas tij, lëvizjet e zyrtarëve në politikën e jashtme “duhet të jenë në përputhje me interesat strategjike të Serbisë”.
SHIKONI EDHE: Sa janë të fuqishme argumentet e Serbisë kundër sanksioneve ruse?“Bashkëpunimi ndërkombëtar për sigurinë bazohet në orientimet e politikës së jashtme dhe duhet të shtrohet pyetja e saktë, se deri kur Serbia do ta mbajë bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë dhe për çfarë interesi”, ka thënë mes tjerash Obradoviq.
Sipas të dhënave zyrtare, Bashkimi Evropian, në të cilin Serbia aspiron anëtarësimin, ka qenë investitori dhe partneri tregtar i jashtëm më i rëndësishëm i Serbisë në 10 vjetët e fundit.
“Shqetësim për qytetarët rusë në Serbi"
Petr Nikitin nga Shoqëria Demokratike Ruse, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimin e kreut të Shërbimit sekret serb me Rusinë, e sheh si “shqetësues për qytetarët rusë që jetojnë në Serbi, dhe që thonë mendimin e tyre”.
Shoqëria Demokratike Ruse është një shoqatë e diasporës ruse në Serbi. Anëtarët e saj e kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës.
Megjithatë, siç ka thënë Nikitin, pjesëmarrja e Vulinit në Konferencën e Sigurisë në Moskë, është çështje e qytetarëve të Serbisë.
“A është në rregull që zyrtarët e lartë të Serbisë të shoqërohen me një pushtet të tillë (të Rusisë) dhe të flasin me të, dhe cilat janë avantazhet e një sjelljeje të tillë për Serbinë?”
Nikitin është aktivist kundër luftës, i cili për shumë vite jeton në Beograd, dhe që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ka marrë pjesë në organizimin e tubimeve në mbështetje të Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Gjithnjë e më shumë pasaporta serbe për qytetarët rusëPër këtë shkak, ai ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve nga lëvizjet dhe organizatat e djathta.
Nga fillimi i luftës në Ukrainë, e deri në dhjetor të vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare, besohet se më shumë se 380.000 rusë kanë shkuar në Serbi.
Megjithatë, jo të gjithë kanë qëndruar. Aktualisht, rreth 30 mijë prej tyre jetojnë në Serbi.
Më 24 maj, disa media në Serbi publikuan lajmin se në Konferencën në Moskë po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Daçiq e ka mohuar më pas këtë informacion.
Ai ka thënë se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në atë konferencë, dhe për këtë arsye as që ka planifikuar udhëtim në Rusi.
“Nuk kam marrë as ftesë për ndonjë konferencë, kështu që as që ishte planifikuar të merrja pjesë në të”, ka thënë Daçiq, më 25 maj.
Në hapjen e Konferencës, e cila zyrtarisht quhet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë, ka folur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Siç kanë raportuar mediat shtetërore ruse, Putin ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve me vendet mike.
SHIKONI EDHE: Rusia zgjeron listën e “shteteve jomiqësore”Serbia, me gjithë përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me bllokun evropian, dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.