SHBA-ja dërgon sisteme të mbrojtjes kundërajrore në Lindjen e Mesme

Sistemi THAAD është i ndërtuar për të rrëzuar raketa balistike me rreze të shkurtra dhe të mesme veprimi pak para se ato të bien në tokë.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të dielën se do të dërgojë mjete shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme, për shkak të druajtjeve se lufta mes Izraelit dhe Hamasit mund të përhapet në tërë rajonin.

Pentagoni tha se do ta çojë sistemin e mbrojtjes kundërajror të njohur si THAAD, bashkë me sistemin raketor tokë-ajër, Patriot, në Lindjen e Mesme.

Sistemi THAAD është i ndërtuar për të rrëzuar raketa balistike me rreze të shkurtra dhe të mesme veprimi pak para se ato të bien në tokë.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha se trupa shtesë janë vënë, po ashtu, në gjendje gatishmërie për t’u zhvendosur në rajon, edhe pse nuk tregoi sa prej tyre.

Lexoni edhe këtë: SHBA-ja dërgon luftanije shtesë në Izrael dhe vë në gatishmëri 2 mijë trupa

Izraeli i vazhdoi bombardimet në Gazë edhe të dielën, duke i vrarë rreth 50 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Ushtria e Izraelit kreu sulme ajrore edhe në shtetin fqinj, Siri, duke i vrarë dy civilë, sipas mediave shtetërore siriane.

Për më tepër, Izraeli tha se avionët e vet luftarakë i goditën caqet e Hezbollahut në Liban të shtunën dhe se njëri nga ushtarët e vet u godit nga një raketë anti-tanke gjatë luftimeve përgjatë kufirit ku u vranë gjashtë ushtarë të grupit të mbështetur nga Irani.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, e paralajmëroi të shtunën kryeministrin në detyrë të Libanit, Najib Mikati, se libanezët do të prekën nga lufta nëse vendi i tij përfshihet në të.

Lexoni edhe këtë: Irani e mohon përfshirjen në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit

Izraeli e nisi rrethimin e plotë të Gazës dhe bombardimet ndaj saj më 7 tetor, pasi militantët e Hamasit e kaluan kufirin dhe nisën sulmet e tërbuara në jug të Izraelit, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të shtunën se së paku 4.385 palestinezë janë vrarë, përfshirë qindra fëmijë, si pasojë e bombardimeve hakmarrëse izraelite në territorin e vogël me rreth 2.3 milionë banorë, gjysmë e të cilëve janë detyruar të zhvendosën nga veriu në jug të Gazës.