SHBA-ja dënon ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator në veri.

Në këto sulme është vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë janë plagosur.

“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Duke e komentuar vrasjen në veri, ai ka thënë se kryesit e këtyre veprave duhet të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë.

Vendi ku besohet se ka ndodhur vrasja:

Hovenier, ka thënë edhe se e vlerëson koordinimin e vazhdueshëm në mes të Policisë së Kosovës, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të policit të vdekur, ndërsa shërim të shpejtë dy të plagosurve.

Autoritetet në Kosovë e kanë fajësuar Serbinë për kryerje të vrasjes.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.

Informacionet e fundit për zhvillimet në veri, pas vrasjes së zyrtarit policor, i gjeni këtu.