Ambasadori amerikan: Nuk do t’ia lëmë Bosnje e Hercegovinën Rusisë

Ambasadori amerikan në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy. 30 mars 2022.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë shprehur mjaft qartë për angazhimin e tyre ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit shumetnik të Bosnje e Hercegovinës (BeH), thotë ambasadori amerikan në këtë vend, Michael Murphy një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se Rusia nuk pyetet, kur bëhet fjalë për vendimet e marra nga Bosnje e Hercegovina në lidhje me marrëdhëniet brenda marrëveshjeve, qoftë kur bëhet fjalë për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo për anëtarësim në NATO. Sipas tij, sjellja e atyre vendimeve i takon Bosnje e Hercegovinës sovrane.

Ai gjithashtu thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj BeH-së është i përhershëm dhe se do të ruajë praninë e vetë ndërkombëtare dhe praninë ushtarake ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët ndërkombëtarë në Bosnje e Hercegovinë janë të shqetësuar për situatën aktuale politike. A e ndani ju këtë shqetësim?

Michael Murphy: Po, e ndajmë. Mendoj se nuk është sekret, do të thosha se është dukshme se Bosnje e Hercegovina nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe se kjo po ndodh tashmë për një periudhë të gjatë. Pra, nuk kalon asnjë ditë pa ndonjë retorikë të tmerrshme nga liderët politikë këtu, kërcënime për shkëputje, kërcënime për riorganizim territorial të vendit, apo retorikë luftënxitëse. Kjo është një mënyrë e tmerrshme, e papërgjegjshme për të drejtuar këtë vend.

Një problem tjetër është se ne nuk shohim përparim në reforma, nuk është bërë pothuajse asnjë përparim në reformat për afrimin me Bashkimin Evropian, asgjë nuk po bëhet për të zgjidhur problemet me të cilat përballet vendi, për shembull: inflacioni ose mungesa e mundshme e energjisë në të ardhmen. Të gjitha këto gjëra po injorohen dhe nuk është mirë për Bosnje e Hercegovinën dhe për qytetarët e saj.

SHIKONI EDHE: A është në rrezik paqja në Bosnje?

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, të cilët shumë shpesh po largohen nga vendi, kryesisht për arsye sigurie. Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë?

Michael Murphy: Më lejoni të filloj përgjigjen duke thënë se njerëzit, duke u larguar nga vendi, e shprehin qëndrimin e tyre. Kjo është votimi i tyre. Vlerësohet se çdo vit nga vendi largohen nga 50 deri në 55 mijë njerëz. Disa prej tyre shkojnë për arsye ekonomike, disa për arsye politike. Unë e kuptoj, mund të kuptoj se pse dikush që dëshiron të ndërtojë një të ardhme më të mirë për veten, për familjen, për fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij, dëshiron të largohet nga BeH-ja. Ky është impuls njerëzor. Dëshirojnë një jetë më të mirë për vete dhe për familjen. Të parët e mi e kanë lëshuar SHBA-në para më shumë se 100 vjetësh, pikërisht për arsye të tilla.

Tani problemi është më serioz për shkak të situatës së keqe politike dhe të sigurisë dhe fajin për këtë e kanë vetëm liderët politikë, të cilët i kanë vënë interesat e tyre të ngushta etno-nacionaliste dhe korruptive para nevojave të qytetarëve. Ndërkaq, njerëzve që i votuan u dhanë premtime, të cilat nuk i përmbushën.

Megjithatë, ekzistojnë disa gjëra optimiste, të cilat do t’i përmend. Para së gjithash, unë kam udhëtuar në të gjithë vendin - më parë kur isha këtu nga viti 2006 deri në 2009 - dhe udhëtoj edhe tani që jam këtu për herë të dytë. Pa marrë parasysh se ku shkoj, në Mostar, Banjallukë apo këtu në Sarajevë, vazhdimisht më impresionojnë njerëzit e këtij vendi, sepse ata e dinë saktë se ku dëshirojnë të shkojë ky vend. Ata janë rezistues, kanë frymë bashkëpunimi, e këtë e shoh te drejtuesit e rinj që shkojnë në SHBA për disa programe, e shoh këtë te sipërmarrësit, investitorët, gazetarët, studiuesit, aktivistët në luftën kundër korrupsionit. Këto janë gjëra të mira, pozitive dhe unë mendoj se këtë duhet ta kemi në mendje, sepse në këtë është edhe forca e këtij vendi.

Një gjë tjetër është se ju keni një mik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, neve na intereson Bosnje e Hercegovina dhe e tillë është situata për 25-30 vjet dhe kjo nuk ka ndryshuar. Ne gjithashtu duam të sigurojmë dhe mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të këtij vendi dhe jemi të gatshëm të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të këtij vendi. Kjo përfshin sanksionet, kur është e përshtatshme, siç ka thënë Antony Blinken [sekretari i Shtetit të SHBA-së] disa muaj më parë, se ne jemi të përkushtuar të qëndrojmë këtu, të mos largohemi nga Bosnje e Hercegovina.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja sanksionon dy zyrtarë të Bosnjës për shkak të aktiviteteve destabilizuese

Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe korrupsionin, i cili është një problem urgjent në Bosnje e Hercegovinë, në radhë të parë kam parasysh korrupsionin politik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë mjaft në luftën kundër korrupsionit në Kantonin e Sarajevës. Por, si ta çrrënjosim atë? Sipas indeksit të korrupsionit, Bosnje e Hercegovina është gati se në fund të rajonit (në luftimin e korrupsionit)?

Michael Murphy: përfundimisht, korrupsioni është problem i madh dhe serioz në Bosnje e Hercegovinë. Njerëzit shpesh më pyesin se çfarë ka ndryshuar në raport me qëndrimin tim këtu, para 13 vjetësh. Një nga ato ndryshime, fatkeqësisht, është se korrupsioni është shumë më i rëndë. Keni të drejtë, është një problem shumë i vështirë për t’u zhdukur dhe një problem i vështirë për t’u luftuar. Ne do të bëjmë ç’të mundemi, duke mbështetur zyrat për luftë kundër korrupsionit, duke mbështetur ndryshimet ligjore, duke mbështetur prokurorët dhe policinë, gazetarët hulumtues që kanë guximin dhe përkushtimin për të çrrënjosur këtë problem. Por, kjo është një luftë e gjatë dhe e vështirë, nuk do të ndodhë brenda një dite, një muaji apo një viti.

Ajo që po bëjmë dhe që duam t’u dërgojmë si sinjal liderëve politikë, është se do të jemi këmbëngulës, se nuk do të dorëzohemi. Këtë e them qartë në takimet me liderët politikë. Kjo është shumë e rëndësishme për SHBA-në dhe prandaj kemi përdorur sanksione për të luftuar korrupsionin, prandaj financojmë zyrat kundër korrupsionit, nuk do të ndalemi. Ka mossukses, por ne nuk do të ndalemi. Këmbëngulja është shumë e rëndësishme në këtë luftë.

SHIKONI EDHE: Zyrtari i NATO-s në Kosovë: Ballkani nuk përballet me asnjë kërcënim të afërt

Radio Evropa e Lirë: Disa prej liderëve politikë janë në listën e zezë amerikane, pikërisht për shkak të korrupsionit, por duket sikur ata nuk e kanë dert këtë. Disa prej tyre tashmë janë sërish në listat zgjedhore për zgjedhjet e këtij viti. A mendoni se institucionet e gjyqësorit mund të reagojnë më mirë në Bosnje e Hercegovinë?

Michael Murphy: Më lejoni që t’ia filloj nga fundi i pyetjes suaj lidhur me liderët politikë. Po, disa nga liderët janë në listat e zeza, disa nga ata liderë janë kandiduar për zgjedhje, por nuk do të duheshin. Por votuesit, në tetor, kanë mundësinë të vlerësojnë atë që kanë bërë ata deri tani. Nëse janë të kënaqur me punën e tyre, atëherë votojnë në përputhje me këtë, nëse jo, përsëri në përputhje me këtë. Një nga bukuritë e demokracisë është se qytetarët e vendit kanë çka të thonë, kanë mundësi çdo katër apo dy vjet, varësisht se për cilin cikël zgjedhor bëhet fjalë, të thonë, dua diçka ndryshe, nuk jam i kënaqur me atë që japin liderët politikë. Pra, kjo është mjaft e rëndësishme.

SHIKONI EDHE: Departamenti i Thesarit i SHBA-së më i shpejtë se gjyqësori i Bosnjës

E dyta, çështja që lidhet me gjyqësorin. Po, ata mund ta bëjnë më mirë punën e tyre, shumë më mirë. Unë kam qenë në një ngjarje para disa javësh, nën patronazhin e Damir Arnautit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ku ata kanë prezantuar hulumtimin e tyre për punën e institucioneve të gjyqësorit, se ku punojnë mirë ose keq. Ata, me të vërtetë në mënyrë mbresëlënëse e bënë punën e tyre, një punë pozitive për Bosnje e Hercegovinën. Prandaj them se ka disa politikanë që kujdesen, ka politikanë që duan të mbështesin gjyqësorin, prokurorët dhe forcat e rendit për punën e tyre dhe kjo duhet të vazhdojë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë kështu, si me radhë: ne do t’i mbështesim ato lloj aktivitetesh edhe politikisht, duke qëndruar me njerëz që duan të bëjnë gjënë e duhur, por gjithashtu, siç e përmenda më herët, ne do të përdorim disa nga programet e asistencës për të punuar me prokurorët dhe gjyqtarët dhe nga ta do të kërkojmë përgjegjësi.

SHIKONI EDHE: Projektligj amerikan për luftën kundër aktiviteteve destabilizuese në Ballkan

Radio Evropa e Lirë: Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë aktive u përfshi edhe përfaqësuesi i ri i lartë në Bosnje e Hercegovinë, z. Schmidt (Christian). Ai tashmë ka përdorur disa herë kompetencat e Bonit. Tashmë po flitet shumë shpesh edhe për reformën zgjedhore. Sipas vlerësimit tuaj, çfarë duhet të jetë ajo reforme dhe që t’u përgjigjet të gjithëve?

Michael Murphy: Më lejoni të filloj me politikën ndaj zyrës së OHR-së (Zyra e përfaqësuesit të lartë) dhe kompetencave të Bonit, sepse ka qenë e qëndrueshme për mbi 25 vjet. Ne e mbështesim, SHBA-ja mbështet një Zyrë të fortë të përfaqësuesit të lartë dhe shfrytëzimin e kompetencave të Bonit, kur është e përshtatshme. Ky nuk është lajm, kjo e ka mbështetjen e të dyja palëve. Kjo është politika, të cilën e ka theksuar çdo ambasador që ka qenë këtu para meje dhe që sapo ua kam përsëritur. Kjo është pjesa e parë e përgjigjes.

Gjëja e dytë që do ta theksoja, është se përfaqësuesi i lartë i ka shfrytëzuar edhe më parë, disa herë, kompetencat e Bonit dhe i shfrytëzuar sepse politikanët vendor kanë lëshuar rastin që të veprojnë dhe t’i zgjidhin problemet që gjenden përballë vendit.

Për shembull, financimi i zgjedhjeve. Kjo nuk është e vetmja gjë ku politikanët kanë dështuar të veprojnë. Politikanët kanë pasur qasjen “gjithçka ose asgjë” kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Ata arritën në përfundimin se kompromisi është fjalë e shëmtuar ose një shenjë dobësie dhe jo fjalë e suksesit. Sigurisht, kjo është krejtësisht e kundërta e së vërtetës. Në demokraci gjërat arrihen me kompromis. Nëse politikanët e këtij vendi, liderët, vazhdojnë me qasjen që pamë, për shembull, në mars të këtij viti - qasje kjo që nënkuptonte se duhet të jetë gjithçka që unë dëshiroj dhe asgjë që dëshiron tjetri ose që fare nuk duan të marrin pjesë në bisedime - atëherë nuk do të ketë përparim në zgjidhjen e problemit dhe do të jetë në dorën e përfaqësuesit të lartë të vendosë se kur dhe si duhet të veprojë për të mbrojtur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë, si dhe si karakterin shumetnik të Bosnje e Hercegovinës. Tash, për zgjidhjet.

SHIKONI EDHE: Përfaqësuesi i Lartë imponoi ndryshimet në Ligjin Zgjedhor të BeH-së

Po i kthehem idesë së kompromisit në demokraci. Nuk ekziston zgjidhja, e cila do t’i kënaqte të gjithë. Kështu nuk funksionon në demokraci. Ajo që të gjithë duhet të kuptojnë është se mund të fitoni disa gjëra në negociata, por për t’i arritur ato përfitime duhet të bëni edhe lëshime të caktuara për ata me të cilët po negocioni.

Pa këtë, ju do të merrini diçka, me të cilën të gjithë do të jenë të pakënaqur dhe askush nuk mund të dalë dhe të thotë, kjo është e rëndësishme për ne dhe ne e arritëm këtë, u pajtuam, sepse demokracia dhe ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë të këtij vendi është e rëndësishme, u morëm vesh që të bënim lëshim këtu. Ky nuk është vendi ku gjenden liderët politikë, për fat të keq. Mendoj se ekziston shansi në zgjedhje, të cilat do të mbahen në tetor, që qytetarët, votuesit e këtij vendi të vendosin se a është kjo ajo që dëshirojnë ose jo.

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për marrëveshjet e politikanëve, ata shumë shpesh këtu në Bosnje e Hercegovinë dinë të bien dakord për diçka, pastaj pas një kohe të caktuar thonë, ne nuk ramë dakord. E tillë është situata kur bëhet fjalë për procesin e afrimit të Bosnje e Hercegovinës në NATO. Programi i reformës u miratua, por nuk ka pasur asnjë përparim në vitin e fundit. Veçanërisht, gjithçka u aktualizua me pushtimin rus të Ukrainës, ku Republika Sërpska thekson, me ndihmën e Rusisë, se Bosnje e Hercegovina nuk do të shkojë në NATO. Si e vlerësoni, në përgjithësi, rolin e Rusisë në gjithë këtë proces?

Michael Murphy: Po e nis me komentin, për të cilin ju aludoni, e që e kanë bërë rusët. Rusia nuk pyetet, kur bëhet fjalë për vendimet e marra nga Bosnje e Hercegovina në lidhje me marrëdhëniet brenda marrëveshjes, nëse bëhet fjalë për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo për anëtarësim në NATO. Sjellja e këtyre vendimeve i takon Bosnje e Hercegovinës sovrane. Kjo është nën një.

SHIKONI EDHE: Ballkani, "vegël" e Rusisë për destabilizim të Evropës?

Nën dy, është goxha e qartë se qytetarët e këtij vendi, por edhe politikanët e këtij vendi, e kanë vënë si synim avancimin dhe anëtarësimin në këto institucione euroatlantike. Ne i mbështesim këto synime. Kjo është ajo që njerëzit mbështesin. Kështu që, kur shikoj se çfarë po bën Rusia në këtë vend, mendoj se ata po punojnë kundër qëllimeve që duan të arrijnë qytetarët e këtij vendi. Disa nga deklaratat e tyre, thënë sinqerisht, ishin të papërgjegjshme.

E dini, kur shikoni se çfarë po bën Rusia në Ukrainë dhe Evropë tani, me agresionin brutal dhe barbar kundër Ukrainës, mund të konkludoni se Rusia nuk kujdeset për interesat, jo vetëm të Evropës, por as të Bosnje e Hercegovinës dhe as të Ballkanit Perëndimor. Nuk dëshiron që të shoh stabilitet, siguri, paqe dhe prosperitet në BeH. Problemi është në këtë.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, nuk mund të kontestohet ndikimi i tyre në Republikën Sërpska. Bisedat e ambasadorit rus në Bosnje e Hercegovinë me zotin Dodik gaati se janë të përditshme. Sa është e rrezikshme në këtë moment për Bosnje e Hercegovinën?

Michael Murphy: Para së gjithash, padyshim, ambasadori rus është një diplomat, si unë, dhe siç e thashë në konferencën time të parë për shtyp kur mbërrita, ai mund të flasë me liderët politikë në këtë vend si kolegët e mi dhe unë. Nuk mendoj se bisedimi, në vetvete paraqet kërcënim.

Your browser doesn’t support HTML5

"Surrogati" i Putinit në Ballkan

Së dyti, bënë disa deklarata të tmerrshme, të papërgjegjshme për Bosnje e Hercegovinën. Mendoj se Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë qenë shumë të qarta për angazhimin e tyre ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit shumetnik të këtij vendi. E kam thënë edhe më parë se kjo është pjesë e lajmit të mirë. E di që ndonjëherë është e vështirë të gjesh lajme të mira në Bosnje e Hercegovinë. Angazhimi i Shteteve të Bashkuara është i përhershëm.

Dua të kujtoj atë që Sekretari (amerikan i Shtetit, Anthony) Blinken tha në dëshminë e tij para Kongresit. Ne nuk po largohemi, nuk do të zhdukemi, ne do të ruajmë praninë tonë ndërkombëtare këtu dhe praninë tonë ushtarake ndërkombëtare. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme të merret parasysh kur vlerësohet situata e sigurisë këtu. Kur EUFOR-i i perceptoi sfidat dhe problemet, forcoi praninë e tij këtu, ishte vendimi i duhur dhe ne e mbështetëm. Mendoj se ju mund të shihni përgjigjen e Shteteve të Bashkuara dhe të evropianëve dhe kjo duhet jetë sinjal se ne nuk do t’ia lëmë Bosnje e Hercegovinën Rusisë. Ky nuk do të jetë rezultati këtu.

SHIKONI EDHE: Statusi i kandidatit për Bosnjën, në tetor ose dhjetor

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni politikën e fqinjëve të Bosnje e Hercegovinës, atë të Kroacisë dhe Serbisë, lidhur me ngjarjet lokale?

Michael Murphy: Ne mirëpresim marrëdhëniet konstruktive të fqinjëve në Ballkanin Perëndimor dhe këtu dua të theksoj fjalën konstruktive. Mendoj se fokusi i vendeve të rajonit, i të gjitha vendeve të rajonit, duhet të jetë përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe tejkalimi i dallimeve, ndërkohë që dallimet ekzistojnë midis shteteve, siç është në të gjithë botën. Ne, për shembull, kemi disa dallime me Kanadanë, por ka një mënyrë për t’i tejkaluar ato. Për këtë punohet, në mënyrë bashkëpunuese, kooperative, për të gjetur zgjidhjet që do të sjellin përfitime për të dyja palët. Këso mënyrash ne duhet të shohim më shumë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët disa herë gjatë kësaj interviste se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në anën e Bosnje e Hercegovinës, në anën e qytetarëve të saj, por që u takon qytetarëve, në tetor, të thonë se çfarë mendojnë për situatën aktuale në Bosnje e Hercegovinë. Ju përmendët se keni mekanizma dhe do t’i përdorni. A mund të na tregoni pak më shumë se çfarë roli do të vazhdojnë të luajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë?

Michael Murphy: Më lejoni të filloj me përgjigjen e përgjithshme të pyetjes suaj, pastaj do të kthehem dhe do të përsëris diçka që thashë më parë. Angazhimi ynë ndaj Bosnje e Hercegovinës është i përhershëm, ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit shumetnik të saj. Kemi qenë miq për 25 vjet, do të vazhdojmë të jemi miq dhe të mbështesim Bosnje e e Hercegovinën. Kjo përfshin investimet që përmenda më herët, luftën kundër korrupsionit, punën tonë për të ndihmuar zhvillimin e turizmit në Bosnje e Hercegovinë, punën tonë me të rinjtë e këtij vendi, përpjekjet që bëjmë për të tërhequr investime këtu, ju e dini, për shembull, përmes diasporës. Kjo do të vazhdojë.

Unë nuk do të spekuloj për mjetet dhe mendoj se ju, kur flisni për to, ndoshta i keni parasysh sanksionet që do të përdorim. Jini të sigurt dhe mendoj se kjo është e qartë nga shtatë muajt e fundit, se kur ne të mendojmë se është e përshtatshme dhe e nevojshme, ne do t’i përdorim ato mjete.