SHBA bllokon dhjetëra faqe online të lidhura me shtetin e Iranit

Pamje nga njoftimi për bllokim të një faqeje iraniane.

Autoritetet amerikane kanë bllokuar dhjetëra faqe online të lajmeve, të lidhura me shtetin iranian – shumica me përmbajtje dezinformuese apo pjesë të listës amerikane për organizata terroriste – për shkak të shkeljeve të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.

SHBA-ja ka bllokuar 33 faqe online të përdorura nga Unioni Islamik i Radios dhe Televizionit dhe tri faqe tjera të përdorura nga milicia Kataib-Hezbollah, e përkrahur nga Irani, ka thënë Departmenti amerikan i Shtetit.

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në SHBA, vitin e kaluar e ka futur në listë të zezë Unionin Islamik të Radios dhe Televizionit, duke thënë se shfrytëzohet nga forca elite e Gardës Revolucionare të Iranit, ka njoftuar Departamenti i Shtetit.

Teherani e ka cilësuar këtë hap “jokonstruktiv” për bisedimet e ringjalljes së marrëveshjes bërthamore, që synojnë rikthimin e Uashingtonit në paktin që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore.

“Ne jemi duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ndërkombëtare dhe ato ligjore për të dënuar këtë politikë të gabuar të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Mahmud Vaezi, drejtor i zyrës së presidencës iraniane më 23 qershor.

Ky vendim ka qenë përgjigje për regjimin iranian, që ka shënjestruar procesin zgjedhor në SHBA, duke bërë përpjekje për të krijuar mosmarrëveshje në mesin e votuesve, përmes dezinformimit online.

Faqet shtetërore online, që është parë se kanë rënë nga sistemi kanë qenë edhe televizioni shtetëror në gjuhën angle Press TV, kanali i lajmeve të rebelëve huthi të Jemenit, Al-Masirah dhe televizioni shtetëror iranian në gjuhën arabe, Al-Alam.

Në njoftimet që janë shfaqur në këto faqe pas bllokimit është thënë se ato janë konfiskuar “në kuadër të një veprimi për zbatim të ligjit”, nga Byroja për Industri dhe Siguri, që funksionon në kuadër të Departamentit amerikan për Tregti.

SHIKONI EDHE: Fuqitë perëndimore kritikojnë Iranin

Shumë faqe më pas janë funksionalizuar, duke shfrytëzuar adresa tjera, derisa agjencia iraniane e lajmeve YJC, ka thënë se veprimi amerikan tregon se “thirrjet për liri të shprehjes janë gënjeshtra”.

Tensionet SHBA-Iran

Ky njoftim vjen në kohën e tensioneve në rritje në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, për çështje bërthamore, si dhe disa ditë pasi kleriku kundër Perëndimit Embrahim Raisi është zgjedhur president i Republikës Islamike.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë qenë armiq për kohë të gjatë, mirëpo marrëdhëniet e tyre janë përkeqësuar prej vitit 2018, kur ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka braktisur marrëveshjen bërthamore në mes të Iranit me gjashtë fuqi botërore dhe ka rikthyer sanksionet e ashpra.

SHIKONI EDHE: Lideri i ri iranian në veten e parë

Irani është hakmarrë duke shkelur gradualisht kushtet e marrëveshjes, që parasheh kufizim të aktivitetit bërthamor.

Ndonëse presidenti aktual amerikan Joe Biden dëshiron t’i ribashkohet marrëveshjes, të dyja palët besojnë se fillimisht duhet të tregojnë përkushtim.

Të dielën në Vjenë është mbajtur raundi i gjashtë i takimeve me qëllim të ringjalles së marrëveshjes, në mes të përfaqësuesve iranianë dhe atyre të pesë shteteve nënshkruese – Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

SHIKONI EDHE: Raisi në favor të marrëveshjes bërthamore, por kundër takimit me Bidenin

Përfaqësuesit amerikanë kanë marrë pjesë në mënyrë indirekte në takim.

Të gjitha stacionet e lajmeve në Iran drejtohen nga Qeveria dhe atje nuk ka televizione private apo radio tjera.

Pajisjet shtesë për satelitë janë po ashtu ilegale, ndonëse disa prej tyre mund të shihen mbi shtëpi.

Në tetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar 92 faqe tjera online, duke thënë se ato po përdoren nga Garda Revucionare për të shpërndarë dezinformata.