Biden: Bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse për sulmin

Presidenti amerikan, Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vendosin “sanksione të ashpra” ndaj Rusisë, pasi forcat e saj ushtarake kanë nisur sulm në Ukrainë, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden, pas shpërthimeve që janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas, Kiev dhe qytete tjera.

Biden ka folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy dhe e ka njoftuar për hapat që do të marrë Uashingtoni kundër Rusisë, duke përfshirë edhe një takim special të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Sot do të takohem me liderë të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) dhe Shtetet e Bashkuara me aleatët e partnerët tanë do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Rusisë”, ka thënë Biden përmes një deklarate.

SHIKONI EDHE: Ukraina: Rusia ka nisur pushtimin

Uashingtoni do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe ndihma për Ukrainën dhe popullin e saj, ka thënë Biden, pa ofruar hollësi tjera.

Biden ka dënuar veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka thënë në një fjalim televiziv se ka autorizuar “operacion ushtarak special” në lindje të Ukrainës.

“Presidenti Putin ka zgjedhur luftë të paramenduar që do të rezultojë me humbje katastrofike të jetëve të njerëzve dhe vuajtje të tyre”, ka thënë Biden para se të diskutonte me presidentin ukrainas.

“Rusia është përgjegjëse për vdekje dhe shkatërrimet që do të sjellë ky sulm. Bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden do të bërë një deklarim më vonë gjatë së enjtes.

Your browser doesn’t support HTML5

Shpërthime dhe të shtëna me armë në Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Tëitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

"Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni", ka thënë Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Përmes një postimi në Tëitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.

Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion "special" për "çmilitarizimin" e Ukrainës.

SHIKONI EDHE: BE paralajmëron sanksione të ashpra ndaj Rusisë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm "të paprovokuar dhe të pajustifikuar" ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota "do ta mbajë Rusinë përgjegjëse".

Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.

Ky vendim është dënuar nga Perëndimi.