Blinken ofertë Moskës për lirimin e dy amerikanëve

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken

Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Rusisë një marrëveshje që synon lirimin dhe kthimin në Shtetet e Bashkuara të yllit të basketbollit Brittney Griner dhe amerikanit të burgosur, Paul Whelan, tha të mërkurën Sekretari i Shtetit Antony Blinken, raporton Zëri i Amerikës.

Kryediplomati amerikan tha gjithashtu se pret të flasë me homologun rus për herë të parë që kur Kremlini sulmoi Ukrainën, një ndryshim i mprehtë i politikës së mëparshme amerikane.

SHIKONI EDHE: Biden nënshkruan urdhër kundër ndalimit të shtetasve amerikanë jashtë vendit

Deklarata shënon rastin e parë që qeveria amerikane ka shpalosur publikisht ndonjë veprim konkret që ka ndërmarrë për të siguruar lirimin e basketbollistes Griner, e cila u arrestua në një aeroport të Moskës në shkurt nën akuza për drogë dhe dëshmoi të mërkurën në gjykatë.

Blinken nuk ofroi detaje mbi marrëveshjen e propozuar, e cila u ofrua javë më parë, ndërsa nuk është e qartë nëse oferta amerikane do ta joshë Rusinë që të lirojë amerikanët.

Por publikimi i ofertës në fjalë, në një kohë kur Uashingtoni e ka shmangur Kremlinin, refekton trysninë në rritje ndaj administratës së Presidentit Biden për kthimin në atdhe të amerikanëve Grenier dhe Whelan, dhe angazhimin e Uashingtonit për këtë çështje.

SHIKONI EDHE: Basketbollistja amerikane e arrestuar në Rusi pranon fajësinë mbi akuzën e trafikut të drogës


Sekretari Blinken tha se Uashingtoni do të donte një përgjigje nga Moska.

Prej vitesh Rusia ka shprehur interes për lirimin e Viktor Bout, një tregtar rus armësh i etiketuar dikur si "tregtari i vdekjes", i cili u dënua me 25 vjet burg në vitin 2012 nën akuzat se kishte planifikuar të shiste ilegalisht armë që kapin shumën e disa miliona dollarëve.

Blinken tha se kishte kërkuar të fliste në telefon me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, ndërsa zyrtarët amerikanë u shprehën se lirimi i amerikanëve ishte përparësia kyesore por jo arsyeja e vetme.

Nëse zhvillohet telefonata, kjo do të ishte biseda e parë mes kryediplomatëve të Uashingtonit dhe Moskës që nga 15 shkurti, rreth një javë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën.

Blinken tha se ai gjithashtu do të fliste me zotin Lavrov mbi rëndësinë që Rusia të respektojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për eksportimin e drithërave ukrainase. Ai do ta paralajmërojë zotin Lavrov mbi rreziqet e përpjekjeve të mundshme ruse për të aneksuar pjesë jugore dhe lindore të Ukrainës.