Mbi 100 shtete zotohen për ulje të niveleve të metanit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti amerikan, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë bërë të ditur partneritetin global për të zvogëluar emetimet e metanit deri më 2030.

Komisionarja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti amerikan, Joe Biden, kanë bërë këtë njoftim të martën në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën.

Zotimi global për metanin synon të kufizojë emetimet e metanit për 30 për qind, në krahasim me nivelet e vitit 2020.

Metani është një prej gazrave serrë më të fuqishëm dhe përgjegjës për një të tretën e ngrohjes aktuale nga aktivitetet njerëzore.

Më shumë se 100 shtete kanë nënshkruar këtë iniciativë, të propozuar fillimisht nga SHBA-ja dhe BE-ja në shtator.

SHIKONI EDHE: Liderët botërorë premtojnë t’i japin fund shpyllëzimit deri më 2030

Fokusi kryesor për të ndalur ngrohjen globale është te dioksidi i karbonit, që emetohet si rezultat i aktiviteteve njerëzore.

Mirëpo metani ka fituar vëmendje po ashtu, si rrugë për të blerë kohë në luftimin e ndryshimeve klimatike.

“Nuk mund të presim vitin 2050”, ka thënë shefja e BE-së, Ursula von der Leyen në samit.

“Na duhet t’i zvogëlojmë shpejt emetimet”.

Presidenti amerikan ka thënë se zotimi për metanin mbulon shtetet që emetojnë gjysmën e gjithë metanit në botë, dhe të cilat përbëjnë 70 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

SHIKONI EDHE: Guterres për ndryshimet klimatike: Po i hapim varrin vetes