Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Ukrainë ndihmë të re ushtarake në vlerë prej 400 milionë dollarë dhe do të krijojnë një seli për ndihmë të sigurisë në Gjermani, që do të mbikëqyrë transferimin e të gjitha armëve dhe trajnimeve ushtarake për Ukrainën, njoftoi Pentagoni.
Në këtë ndihmë do të përfshihen edhe ndihma shtesë për mbrojtje ajrore, që Ukraina të mund të mbrojë veten nga sulmet ruse me raketa dhe dronë, që së fundmi kanë shkatërruar rëndë infrastrukturën ujore dhe energjetike ukrainase.
“Ne e kuptojmë nevojën akute për mbrojtje ajrore në këtë moment kritik kur Rusia dhe forcat ruse po lëshojnë raketa dhe po përdorin dronët iranianë për të sulmuar infrastrukturën civile të këtij shteti”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, gjatë një konference për media në Kiev më 4 nëntor pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
SHIKONI EDHE: Zelensky akuzon Rusinë për "terrorizëm energjetik"Sullivan është një prej zyrtarëve më të lartë amerikanë që ka vizituar Kievin, dhe vizita e tij në Ukrainë nuk ishte paralajmëruar për shkaqe sigurie.
Në pakon e ndihmës së re përfshihen edhe kontratat për 1.100 dronë Phoenix Ghost, 45 tanke dhe 40 anije.
Dronët Phoenix Ghost janë “dronë kamikazë” që shpërthejnë në momentin që kanë kontakt me cakun e tyre.
Ndërkaq, tanket T-72 do të merren nga inventari në Republikën Çeke – dhe janë paguar nga Holanda – dhe do të përditësohen me teknologji më të avancuar.
Sa i përket mbrojtjes ajrore, do të dërgohen raketa tokë-ajër Hawk. Ky sistem ajror nuk përdoret më në SHBA, por do të përditësohet dhe do të dërgohet në Ukrainë.
Sistemet Hawk kanë rreze më të gjata veprimi sesa raketat kundërajrore Stringer, që më herët SHBA-ja kishte dërguar në Ukrainë.
Qëkur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, ndihma ushtarake që SHBA-ja i ka ofruar Ukrainës kap vlerën e 18.2 miliardë dollarëve.