Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “gjithnjë e më shumë duket” se Irani qëndron prapa një sulmi në fundjavë mbi objektet e naftës në Arabinë Saudite, por shtoi se është ende herët që kjo të thuhet me siguri.
Trump po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë, porse janë të gatshme ta ndihmojnë Arabinë Saudite – aleaten kryesore në rajonin e Gjirit – që t’i kundërpërgjigjet sulmit, sapo të përcaktohet përfundimisht se kush është përgjegjës.
“Nuk dua luftë me askënd, por jemi të përgatitur”, u tha Trump gazetarëve në Uashington.
Ai theksoi se çdo sulmi të mundshëm amerikan do t’i paraprijnë bisedime me aleatët në rajonin e Gjirit dhe në Evropë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e fajësoi direkt Iranin për sulmin në Arabinë Saudite. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mike Esper, bëri të njëjtat akuza të hënën, kur SHBA-ja publikoi disa imazhe satelitore dhe citoi inteligjencën për të mbështetur pretendimet se Irani qëndron prapa sulmit të 14 shtatorit.
Irani e mohon përfshirjen në sulm, përgjegjësinë për të cilin e morën rebelët Huthi në Jemen. Këta të fundit, që po ashtu janë të lidhur me Iranin, thanë se kanë përdorur dronë për të kryer sulmin.
SHIKONI EDHE: SHBA prezanton të dhëna për përfshirje të Iranit në sulmin e rafinerive sauditeUdhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e përjashtoi të martën mundësinë e negociatave me Shtetet e Bashkuara.
“Politika e ‘presionit maksimal’ kundër kombit iranian është e pavlerë dhe të gjithë zyrtarët e Republikës Islamike të Iranit besojnë njëzëri se nuk do të ketë negociata me Shtetet e Bashkuara në asnjë nivel", tha Khamenei.
Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë foli për mundësinë e një takimi midis Trumpit dhe presidentit iranian, Hassan Rohani, i cili do të shënonte një kthesë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet SHBA-Iran.
Sulmi paralizoi rreth gjysmën e prodhimit të naftës në Arabinë Saudite, çfarë do të thotë ndërprerja më e madhe e furnizimeve botërore që është parë ndonjëherë.
Zyrtarë anonimë të Shteteve të Bashkuara thanë se drejtimi dhe shtrirja e sulmit hedhin dyshime për përfshirjen e rebelëve Huthi.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përkeqësuar qëkur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin vitin e kaluar dhe sërish vendosi sanksione mbi ekonominë iraniane, për shkak të programit bërthamor dhe balistik të këtij vendi.
Trump tha se Pompeo dhe zyrtarë të tjerë do të udhëtojnë së shpejti në Arabinë Saudite.
Sulmi e uli prodhimin e naftës së papërpunuar në botë me 5 për qind dhe shkaktoi rritjen e çmimeve deri në 19 për qind.
Arabia Saudite është eksportuesja më e madhe e naftës në botë, e cila shet mbi shtatë milionë fuçi në ditë.