Për shkak të pandemisë së koronavirusit, sektorit i turizmit në Maqedoni të Veriut pret që sezoni dimëror të jetë më i vështirë sesa ai i verës, pasi në qendrat e skijimit në Kodrën e Diellit, në Mavrovë dhe të tjera, nuk ka kërkesa nga turistët.
Për të ndihmuar këtë sektor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për familjet me të ardhura më të ulëta se 15 mijë denarë (250 euro) ka ndarë kuponë që mund t’i shfrytëzojnë për turizmin vendor, në vlerë prej 6 mijë denarëve (100 euro). Por, këta kuponë duhet të shfrytëzohen deri më 15 dhjetor.
“Edhe në këto kushte të vështira që ka imponuar kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, agjencitë turistike po bëjnë përpjekje që t’i japin një shtytje turizmit gjatë sezonit dimërore përmes kuponëve që ndan qeveria”, thonë nga Oda Ekonomike për Turizëm në Maqedoninë e Veriut duke shtuar se një pjesë e madhe e këtyre kuponëve, që u ndan nga 15 korriku, nuk janë shfrytëzuar, andaj iu bëjnë thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë ato deri në afatin e përcaktuar nga ekzekutivi i vendit.
Ivona Jakimovska, pronare e një agjencie turistike e cila është anëtare e Këshillit të Odës Ekonomike për Turizëm, thotë për Radion Evropa e Lirë se shpreson se sektori i hotelierisë të marrë një infuzion financiar nga turistët e huaj, për shkak të mungesës së turistëve vendorë.
“Më 6 dhjetor pritet të arrijnë në Aeroportin e Shkupit turistët e parë nga Ukraina dhe përmes tyre të plotësohen të paktën 30 deri në 40 për qind të kapaciteteve në hotelet që janë në Kodrën e Diellit dhe në Mavrovë”, thotë Jakimovska.
SHIKONI EDHE: OKB: Turizmi global humbi 320 miliardë dollarë në pesë muajNga agjencitë që mbështesin turizmin thonë se nëse gjendja epidemiologjike mbetet e qëndrueshme dhe numri i të infektuarve me koronavirus fillon të ulet, atëherë do të vijnë edhe turistët nga Belgjika, Federata Ruse, Bjellorusia dhe vende të tjera, që tashmë kanë bërë rezervimet e tyre në qendrat turistike.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 100 mijë e 289 kuponë për turizmin vendorë, por nga ky numër, deri më tani janë shfrytëzuar vetëm 42 mijë e 992 kuponë në vlerë prej 4.2 milionë euro.
Punonjësit turistikë kanë kërkuar që afati deri më 15 dhjetor për shfrytëzimin e këtyre kuponëve të shtyhet, pasi sipas tyre, shuma që ka ofruar qeveria ka qenë e vogël dhe qytetarët që t’i shfrytëzonin këta kuponë, është dashur që një pjesë të pushimeve t’i paguajnë vet.
Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Arben Halili, thotë për Radion Evropa e Lirë se për t’u shfrytëzuar këta kuponë duhet të zgjerohet pakoja e ndihmave, me qëllim që edhe personat që kanë të ardhura të ulëta të mund të shkojnë disa ditë në pushime dhe në të njëjtën kohë të ndihmojnë edhe sektorin e turizmit.
“Duhet të ndryshohet modaliteti i shfrytëzuesve të kuponëve, me atë që të marrin kuponë dhe një kategori më e gjerë, ose këta shfrytëzues potencialë që i takojnë kategorisë me të ardhura të ulëta, të marrin dhe një ndihmë shtesë financiare që të mund të harxhojnë ato mjete dhe jo vetëm akomodimin ta kenë të siguruar sepse për pushimet dimërore duhen më shumë para dhe për përgatitje për skijim dhe jo të shkojnë atje dhe të rinë tërë ditën”, thotë Halili.
SHIKONI EDHE: Sektori i turizmit pret ndihmën e qeverisë që të rimëkëmbetNdërkaq, Naum Martinovski, ligjërues në Fakultetin për Turizëm në Ohër, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndarja e kuponëve nga qeveria për turizmin vendor paraqet mundësi të mirë që të mbahet gjallë ky sektor, por shton se kuponë të tillë duhet t’u ndahen edhe personave të tjerë dhe jo vetëm familjeve me status të rrezikuar social.
“Vlerësoj se duhet të zgjerohet shpërndarja e kuponëve, përkatësisht këto mjete t’u ndahen edhe atyre që kanë mundësi të udhëtojnë dhe jo ky opsion të jetë vetëm për rastet sociale. Sepse përmes kuponëve mund të rekrutohet një klientelë për faktin se këto mjete që i ndan qeveria mund të nxisin për të bërë pushime më shumë qytetarë”, thotë Martinovski.
Në bazë të dhënave të Agjencisë për mbështetjen e Turizmit në Maqedoninë e Veriut, gjatë periudhës kohore janar –shtator, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, numri i turistëve është ulur për 60,4 për qind. Nga kjo shifër, numri i turistëve vendorë ka rënën për 20 për qind, ndërkaq i turistëve të huaj për 83 për qind.
SHIKONI EDHE: Sektori i hotelerisë pëson humbje të mëdha nga koronavirusiNdërkaq, të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se numri i turistëve gjatë muajit shtator të këtij viti, krahasuar me muajin e njëjtë vitin e kaluar, është rritur për 33 për qind. Por, nga sektori i turizmit thonë se kjo rritje ka ndodhur për shkak të ndarjes së kuponëve nga qeveria.
Megjithatë, të dhënat e këtij enti thonë se numri i turistëve të huaj gjatë shtatorit ka rënën për 92,3 për qind, nëse krahasohen të dhënat me shtatorin e vitit të kaluar.
Sektori i hotelerisë dhe gastronomisë mbetet më i godituri nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se deri në fund të vitit, ky sektor do të ndihmohet me 7,5 milionë eurove përmes granteve të ndryshme.