Sulmet e Rusisë shkaktuan një mbulesë të zjarrtë të martën përgjatë rajoneve në lindje të Ukrainës, ku grupe të rezistencës ukrainase po i mohojnë Moskës kontrollin e plotë ushtarak të rajonit, gati katër muaj pasi Kremlini nisi pushtimin.
“Sot gjithçka që mund të digjet ka marrë flakë,” deklaroi Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit lindor të Luhanksut.
Lufta e Rusisë ka shkaktuar alarm mbi furnizimet ushqimore nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës dhe furnizimet me gaz nga Rusia, si dhe ka ngritur pikëpyetje për sigurinë në Evropën Perëndimore.
Ushtria ruse aktualisht kontrollon rreth 95% të rajonit të Luhanskut. Por Moska ka luftuar për javë të tëra për ta pushtuar plotësisht atë, pavarësisht se ka vendosur trupa shtesë dhe ka një avantazh të madh në asetet ushtarake.
Në qytetin e Severodonjeckut, një nga pikat më të nxehta të luftimeve, trupat ukrainase kanë arritur të rezistojnë në fabrikën e lëndëve kimike Azot, ku janë duke u strehuar edhe qindra civilë. Sipas guvernatorit Serhiy Haidiai, forcat ruse po e shndërrojnë zonën “në rrënoja”.
“Është një katastrofë e vërtetë”, deklaroi Haidai për AP. “Pozicionet tona po goditen vazhdimisht me mortaja, raketahedhës të shumtë, artileri të kalibrit të madh, sulme me raketa.”
SHIKONI EDHE: Donbasi po përballet me “sulmet më të ashpra” prej nisjes së luftësMbrojtja e fabrikës kimike solli në mendje betejën për fabrikën e rrethuar të çelikut Azovstal në qytetin e pushtuar të Mariupolit, ku trupat ukrainase ishin ngujuar për javë të tëra.
Lysychansk, i vetmi qytet në rajonin e Luhanskut që është ende plotësisht nën kontrollin e Ukrainës, është gjithashtu objektiv i sulmeve të shumta ajrore.
Zyra e presidentit të Ukrainës bëri të ditur të martën se të paktën gjashtë civilë ishn vrarë në 24 orët e fundit dhe 16 të tjerë ishin plagosur.
Sipas përditësimit të fundit, forcat ruse bombarduan gjatë ditës edhe rajonin verior të Chernihiv, dhe intensifikuan bombardimet në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, atë të Harkivitit. Shpërthime u dëgjuan edhe në qytetin jugor të Mikolaivit.
Sulmet ajrore në Severodonjeck dhe Lysychansk kanë shkatërruar më shumë se dhjetë ndërtesa banimi dhe një stacion policie. Në qytetin Avdiivka në rajonin e Donjeckut, një shkollë u dogj si rezultat i bombardimeve, tha zyra e presidentit.