“Kosova ka të arritura të mira” në dhjetëvjetorin e pavarësisë, duke “i krijuar institucionet themelore të një shteti të pavarur dhe sovran”, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitin John Hopkins në Uashington.
Por, sipas tij, duhen edhe “10 vjet të tjera para se të themi se shteti është kompletuar dhe konsoliduar krejtësisht”.
Mëtutje, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se “tërheqja e legjislacionit për Tribunalin Special do të jetë veprim katastrofal për Kosovën”.
Radio Evropa e Lirë: Javën e ardhshme Kosova e shënon 10 vjetorin e pavarësisë. Si i vlerësoni ju të arriturat në këtë periudhë?
Daniel Serwer: Mendoj se Kosova ka të arritura të mira. I ka krijuar institucionet themelore të një shteti të pavarur dhe sovran. E ka qeverinë, parlamentin e vet, Gjykatën Kushtetuese, i ka komunat, ndërsa sistemi i decentralizimit është mjaft efektiv. Megjithatë, rruga përpara është ende e gjatë... Me gjasë, edhe 10 vjet të tjera, para se të themi se shteti është kompletuar dhe konsoliduar krejtësisht.
Sfida të mëdha janë integrimi i pjesës veriore, ndërtimi i një force minimale të sigurisë, që do ta mbrojë integritetin territorial të vendit, së paku për një kohë të shkurtër, dhe sinqerisht, një sistem të drejtësisë të fuqishëm dhe të pavarur. E gjithë kjo kërkon një kohë të gjatë për tu arritur.
Radio Evropa e Lirë: Kosova është i vetmi vend në rajon pa liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Njëri pre kushteve kryesore të BE-së për Kosovën është ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Por, duket se në Kuvendin e Kosovës nuk ka shumicë për këtë ratifikim. Si e shihni ju këtë situatë?
Daniel Serwer: Jam në favor të Marrëveshjes së Demarkacionit. Mendoj se me të vërtetë asgjë nuk humbet duke e miratuar atë. Mendoj se ishte gabim i madh shtyrja e ratifikimit dhe shpresoj se do të lëvizet përpara.
Por shikoni, parlamenti është i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe e ka autoritetin për të mos e miratuar këtë marrëveshje dhe mua më duhet ta respektojë këtë, po ashtu. Por, nëse më pyesni mua...këshilla ime është: kryejeni këtë punë pasi Kosova shumë më tepër përfiton me liberaizim të vizave se sa çkado që mund ta humbë me demarkacion.
Radio Evropa e Lirë: Para disa ditësh, Bashkimi Evropian e ka shpallur strategjinë e re, e cila ka për qëllim t’i inkurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor për integrim në BE. Por, natyrisht ekzistojnë kriteret që duhet të plotësohen nga ana e shteteve ballkanike. Si i shihni ju gjasët e këtyre shteteve, përfshirë Kosovën që të jenë anëtare të BE-së pas disa viteve.
Daniel Serwer: Mendoj se gjasët janë të mira, aq sa këto shtete kanë gatishmri për të bërë përpjekje të kualifikohen për BE. Ajo që Brukseli ka bërë me strategjinë e re është rihapje e dritares politike. Ajo ka qenë e mbyllur në pesë vitet e fundit, pasi BE-ja ka thënë se nuk do të pranojë anëtarë të rinjë deri në vitin 2020. Tash ata thonë se për ato vende që kualifikohen, Brukseli është i përgatitur për ta vazhduar pranimin, duke filluar prej vitit 2023, dhe një periudhë dyvjeçare për të gjitha qeveritë e shteteve anëtare, që t’i ratifikojnë marrëveshjet për pranim.
Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. Nuk e dij se kur dritarja mund të mbyllet përsëri. Këshilla ime për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është që të bëhen gati sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kjo do të thotë, jo vetëm miratim i legjislacionit të domosdoshëm, por zgjidhje e çështjeve me fqinjët.
Radio Evropa e Lirë: Po cilat janë gjasët e Kosovës në këtë rrugë?
Daniel Serwer: Gjasët e Kosovës ekzistojnë, çkado që Kosova të vendos. Por, nëse vazhdon ta bllokojë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pastaj punën e tërheqjes së legjislacionit për Tribunalin Special, atëherë kjo do ta pengojë Kosovën që të mos jetë e aftë që të përfitojë nga strategjia e re e zgjerimit të BE-së.
Më shumë se çdo gjë tjetër, Kosovës i duhet që të vazhdojë me procese për të pasur liberalizim të vizave dhe në ndonjë mënyrë të kualifikohet sa më shpejtë që të jetë e mundur për të kandiduar.
Radio Evropa e Lirë: Ju posa e përmendët çështjen e Gjykatës Speciale. Liderët e Kosovës dhe anëtarët e parlamentit janë kritikuar nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore për nismën për tërheqjen e legjislacionit për Gjykatën Speciale për Krime të Luftës. Por situata është ende e paqartë. Disa thonë se kjo është kriza më e madhe në raportet ndërmjet udhëheqjes së Kosovës dhe aleatëve perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. A pajtoheni me këtë vlerësim?
Daniel Serwer: Mendoj se Kosova i ka tensionuar raportet e veta me Shtetet e Bashkuara dhe me miqtë e saj në BE. Kosova është vend i vogël... vendit të vogël i duhet miqtë. Nëse strategjia e zgjerimit, të cilën posa e ka shpallur BE-ja, nuk është favorizuese, siç ka mundur të jetë, është për shkak se Kosova nuk ka më tepër mbështetje nga miqtë e vet për të vepruar kundër asaj që është duke u përpjekur për ta bërë Spanja.
Prandaj, ju duhet t’i mbani marrëdhëniet e mira me miqtë tuaj, në mënyrë që gjërat të dalin ashtu siç është e drejtë.
Tërheqja e legjislacionit për Tribunalin Special do të jetë veprim katastrofal për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Serwer, ka raporte dhe deklarata se Rusia po ushtron ndikim në disa vende të Ballkanit. Sipas jush, në cilat shtete po ndodhë kjo?
Daniel Serwer: Është shumë e qartë se kjo po ndodhë në Bosnjë-Hercegovinë, veçanërisht në Republikën Serbe, ku rusët po kanë suksese të rëndësishme. Po ashtu, po ndodhë brenda Serbisë. Ata u përpoqën në Mal të Zi, bile ata në Mal të Zi u përpoqën për grushtshtet, por në masë të madhe kanë dështuar.
Ata ende po punojnë në Maqedoni, përkundër disfatës së thellë që ata e pësuan me inaugurimin e qeverisë së re në Maqedoni. Shikoni, Rusia nuk e çan kokën për Ballkanin. Rusët po përpiqen ta bllokojnë çdo anëtar të ri të NATO-s, ta bllokojnë çdo anëtar të ri të BE-së dhe ata këtë e bëjnë me një çmim të ulët.
Investimet e tyre në Ballkan nuk janë të mëdha...ata esencialisht nuk japin ndihma të jashtme për Ballkanin. Ata e bëjnë këtë me investime minimale në para dhe bile edhe në kohë.
Është e tmerrshme të shihen popujt e Ballkanit që bien nën ndikim të pikëpamjes se Rusia paraqet ndonjë alternativë ndaj BE-së. Ajo nuk paraqet alterinativë të tillë.