Lavrov: Perëndimi nuk po respekton zotimin për eksportet ruse

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Perëndimi nuk po respekton premtimin e tij për të ndihmuar që ushqimet dhe plehrat artificiale ruse të mund të arrijnë në tregjet globale. Ai ngriti dyshime lidhur me respektimin nga ana e Moskës të marrëveshjes me Ukrainën për eksportet.

Lavrov tha se Perëndimi nuk ka zbutur sanksionet për t’ia bërë më të lehtë Rusisë që të dërgojë jashtë vendit produktet bujqësore.

Moska e ka parë marrëveshjen për eksportet si pakt kyç. Kjo marrëveshje u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë, që çoi në zhbllokimin e eksporteve të drithërave ukrainase nga portet në jug të vendit dhe lehtësoi krizën botërore me furnizime ushqimore.

“Kolegët tanë perëndimorë nuk po bëjnë atë që ne na u premtua nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së”, tha Lavrov gjatë një konference për media në Moskë.

“Ata nuk po ndërmarrin vendime për të hequr sanksionet logjistike që parandalojnë qasjen e lirë në tregjet botërore të plehrave dhe drithërave ruse”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE: Rusia thotë se është gati të eksportojë 30 milionë tonë drithëra

Moska tha se sanksionet perëndimore po vështirësojnë organizimin e transportit, por edhe sigurimin dërgesave, edhe pse sanksionet nuk shënjestrojnë drejtpërdrejt eksportet ushqimore dhe ato bujqësore.

Kryediplomati rus tha se është në kontakt me Kombet e Bashkuara për t’i bërë presion shteteve perëndimore që të respektojnë zotimet e tyre për eksportet.

Marrëveshja për eksportet e produkteve bujqësore të Ukrainës dhe Rusisë është pakti i vetëm që dy vendet kanë arritur qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt.