Qeveria e Serbisë e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie për, siç kanë thënë, “ngjarjet tragjike” në Kosovë.
Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi – "shpalli" tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas ligjit të Kosovës, në nivel shteti ditë zie mund të shpallë vetëm presidentja e vendit, ndërsa në nivel komune edhe vetë komunat përkatëse.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.
Your browser doesn’t support HTML5
“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t'i respektojnë viktimat në Kosovë”, njoftoi Qeveria e Serbisë pas një seance të jashtëzakonshme më 26 shtator.
Lista Serbe shkroi në Facebook se datat 26, 27 dhe 28 shtator janë "shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve tanë në një ngjarje tragjike në Banjskë të komunës së Zveçanit”.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe reagon lidhur me sulmin në veriAta deklaruan që në komunitetet serbe në Kosovë të anulohen të gjitha manifestimet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe se “flamujt e Republikës së Serbisë do të ulen në gjysmështizë në të gjitha institucionet”.
Lista Serbe udhëheq gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të Kosovës. Në katër komunat në veri, pushtetin e morën kryetarët shqiptarë pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë.
Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas përleshjes së armatosur.
SHIKONI EDHE: Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth BanjskësHyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.
Vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës dhe kërkuan një hetim urgjent dhe që personat e përfshirë të sillen para drejtësisë.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.
Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.